Vera ka nisur zyrtarisht dhe bashkë me të, edhe seria e re e reportazheve nga RTL Radio për destinacionet alternative të pushimeve në Evropë. Në episodin e tretë të kësaj serie, vëmendja është përqendruar tek Shqipëria një vend që po kalon nga të qenit një sekret i njohësve të udhëtimeve në një prej pikave më tërheqëse në hartën turistike të kontinentit.
Nga Alpet Shqiptare në bregun Jonian natyrë e paprekur dhe pushime larg turmave
Shqipëria ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme në një hapësirë të vogël, transmeton AutoPortali.
Larg turizmit masiv, në veri të vendit, në kufi me Kosovën dhe Malin e Zi, shtrihen të ashtuquajturat “Bjeshkët e Nemuna”, ose Alpet Shqiptare. Zonat e Valbonës dhe Thethit janë të mbushura me shtigje të ecjes përmes peizazheve malore spektakolare që duken thuajse të paprekura.
Fshatrat e vegjël me shtëpi guri, lumenjtë e kristaltë dhe pamjet panoramike e bëjnë këtë zonë një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe për ata që kërkojnë qetësi.
Një tjetër perlë natyrore është Parku Kombëtar i Vjosës, i shpallur në vitin 2023 si Parku i parë i Lumit të Egër në Evropë. Lumi i Vjosës njihet si lumi i fundit i madh në Evropë që rrjedh i lirë dhe pa pengesa, ndërsa rajoni përreth është habitat për mbi 1.100 lloje kafshësh dhe bimësh, përfshirë rrëqebullin, lundërzat dhe zogj të rrallë.
Zona mbrohet në mënyrë të rreptë, ndërsa promovohet turizmi i qëndrueshëm.

Riviera shqiptare, plazhe si në Maldive
Për ata që preferojnë detin para maleve, Riviera Shqiptare përgjatë bregut Jonian nuk zhgënjen. Është një nga rajonet më të bukura, por ende më pak të zhvilluara të Mesdheut.
Plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës ofrojnë rërë të imët, ujëra të kaltërta dhe një atmosferë të qetë pa turmat e resorteve të mëdha.
Që nga vera e vitit 2024, bregdeti është bërë edhe më i qasshëm falë Tunelit të Llogarasë, një projekt madhor infrastrukture që lidh më mirë zonat malore me bregun. Udhëtimi që dikur zgjaste 30 minuta përmes një kalimi të rrezikshëm malor, tashmë realizohet për vetëm 7 minuta një shtysë e madhe për turizmin rajonal.
Jetë urbane dhe kujtesë historike
Tirana, kryeqyteti i vendit, është një përzierje ngjyrash, historie dhe energjie urbane. Qendra pulson nga jeta kulturore, me kafene me muzikë live, art rrugësh, restorante moderne dhe një popullatë e re që i jep ritëm qytetit.
Qyteti përballet edhe hapur me të kaluarën e tij. Muzeumet Bunk’Art 1 dhe 2, të ndërtuara në bunkerë të vërtetë të epokës komuniste, rrëfejnë në mënyrë vizuale dhe tronditëse periudhën e diktaturës.

Trashëgimi kulturore dhe pasuri historike
Trashëgimia kulturore e Shqipërisë është po aq mbresëlënëse. Në veri ndodhet Shkodra, një nga vendbanimet më të vjetra në rajon, pranë liqenit më të madh në Ballkan. Kalaja e Rozafës ofron pamje të gjera mbi qytet, liqen, male dhe lumenj.
Më në jug ndodhen Berati dhe Gjirokastra, të dyja pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Berati, “qyteti i një mijë dritareve”, dhe Gjirokastra, me arkitekturën osmane dhe shtëpitë prej guri, ofrojnë një dritare autentike në traditat dhe identitetin shqiptar.

Të dhëna praktike për turistët
Edhe pse nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria pranon euros në shumë restorante dhe dyqane. Monedha zyrtare është leku, por turistët shpesh nuk kanë nevojë të shkëmbejnë para.
Me një kosto jetese më të ulët sesa fqinjët e saj, Shqipëria mbetet një zgjedhje pushimi shumë më ekonomike.
Në pak fjalë: Një perlë e pazbuluar evropiane
Shqipëria ofron natyrë mahnitëse, mikpritje të ngrohtë, kulturë të pasur dhe një rivierë që mund të konkurrojë me çdo destinacion të famshëm të Mesdheut. Qoftë për ecje në male, relaks në plazh apo eksplorim të qyteteve historike është një destinacion ende i paprishur, shumë afër Evropës qendrore, por me një ndjesi krejt tjetër. /AutoPortali




