Volkswagen Golf, një prej emrave më të njohur në historinë e industrisë së automobilizmit, feston këtë vit 50-vjetorin e tij. Por, për të qenë të saktë, rrugëtimi i tij nuk nisi pikërisht në vitin 1974.
Në fakt, pas perdeve të zhvillimit dhe eksperimentimeve të shumta, Volkswagen kishte filluar të kërkonte pasardhësin e Beetle që nga fundi i viteve ’60. Një prej hapave të parë drejt kësaj ideje ishte prototipi EA 276, i ndërtuar në vitin 1969, transmeton AutoPortali.

Në një përpjekje për të ulur kostot dhe për të përdorur teknologji tashmë të njohura, EA 276 kishte të njëjtin motor bokser me katër cilindra të ftohur me ajër, vendosur në pjesën e përparme, njësoj si te Beetle.
Por ndryshe nga dizajni që do të vinte më pas, kjo veturë kishte një pamje që nuk do ta përkufizonim si tërheqëse – për të mos thënë e shëmtuar. Pikërisht këtu hyn në skenë Giorgetto Giugiaro dhe studioja e tij Italdesign, të cilët sollën linjat e pastra dhe funksionale që karakterizuan Golf-in e parë, modelin që do të bëhej ikonë e veturave kompakte evropiane. Ndërkohë, EA 276 përfundoi në arkivat e Volkswagen, ku qëndroi për dekada.

Kohët e fundit, megjithatë, ky prototip i hershëm u rikthye në vëmendje. Ai u nxor nga garazhi për të pozuar për herë të parë përkrah Golf I në një seancë fotografike që feston gjysmëshekullin e modelit. Pamja e tij disi e pazakontë dhe e papërfunduar ka nxitur edhe shaka mes adhuruesve të veturave, të cilët me humor pyesin veten nëse ndoshta ndonjë spiun sovjetik e kishte parë këtë model në atë kohë dhe më pas e kishte “shpërndarë” te dizajnerët e Lada-s.




