Mercedes-Benz shpall luftë kundër pjesëve të falsifikuara të veturave
M

Mercedes-Benz shpall luftë kundër pjesëve të falsifikuara të veturave

Gjiganti gjerman i makinave luksoze ka nisur një task-forcë të dedikuar, për të ndihmuar autoritetet në mbarë botën në mbrojtjen e markës dhe imazhit të vet.

Qoftë në servise zyrtare apo përmes mekanikëve privatë, riparimi i një makine me pjesë origjinale është një proces i shtrenjtë, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali. 

Kushdo që ka pasur nevojë të riparojë makinën në një servis zyrtar, e di se kjo zakonisht është një ndërhyrje me kosto të lartë dhe kjo ka arsye të forta.

Pjesët origjinale të automjeteve nuk janë aspak të lira. Qoftë një panel karoserie, një filter vaji apo ajri – vetëm fakti që pjesa vjen me emrin dhe logon e prodhuesit e rrit ndjeshëm çmimin që në fund e paguan vetë pronari.

Kostoja më e lartë zakonisht nënkupton cilësi më të mirë, por në praktikë kjo mbetet një sfidë për shumë shoferë që paguajnë faturat. Kur një pjesë e thjeshtë kushton disa qindra euro, është e kuptueshme pse shumë njerëz tundohen të kërkojnë zgjidhje më të lira online.

Por alternativa më e lirë shpesh vjen me një rrezik serioz. Në përpjekje për të kursyer, shumë pronarë makinash përfundojnë duke blerë pjesë jo vetëm të cilësisë së ulët, por edhe të falsifikuara.

Dhe ndryshe nga rrobat apo çantat e firmave që mund të jenë thjesht shkelje të pronësisë intelektuale, pjesët e falsifikuara të makinave përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Ato mund të duken si origjinale dhe të kryejnë funksionin bazë, por materiali i dobët apo përbërësit toksikë mund të rrezikojnë sigurinë e drejtuesit dhe pasagjerëve.

Mercedes shkon drejt përplasjes me falsifikatorët

Për këtë arsye, Mercedes-Benz ka intensifikuar luftën ndaj industrisë së falsifikimit të pjesëve të veturave. Sipas një deklarate të fundit nga kompania, gjatë vitit 2024, prodhuesi gjerman ka bashkëpunuar me doganat, autoritetet tregtare dhe organet e rendit në mbarë botën për të bllokuar mbi 1.5 milion produkte të falsifikuara Mercedes-Benz në 793 bastisje të kryera globalisht.

Kjo nënkupton më shumë se dy bastisje në ditë, duke goditur shitësit ilegalë dhe prodhuesit pa licencë.

Mercedes raporton se një pjesë e madhe e produkteve të sekuestruara ishin pjesë me rrezik të lartë fizik, përfshirë filtra ajri të ndërtuar me materiale të ndezshme dhe disk frenash me përbërje toksike si plumbi dhe arseniku të cilat përbëjnë rrezik të menjëhershëm për sigurinë në trafik. /AutoPortali

TË FUNDIT