Dy zjarrvënie për 24 orë bllokojnë linjën hekurudhore Düsseldorf–Duisburg
D

Dy zjarrvënie për 24 orë bllokojnë linjën hekurudhore Düsseldorf–Duisburg

Policia gjermane konfirmoi të premten se një linjë kyçe hekurudhore në qytetin perëndimor të Düsseldorf-it është goditur nga një sulm i dytë zjarrvënieje brenda dy ditësh, vetëm disa orë pas një zjarri në një kanal kabllor që kishte shkaktuar ndërprerje të mëdha në të njëjtin segment.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, policia bëri të ditur se pajisja ndezëse e përdorur në këtë rast ishte e të njëjtit lloj me atë që u gjet pas zjarrit të së enjtes, i cili çoi në mbylljen e një linje të rëndësishme hekurudhore midis Düsseldorf-it dhe qytetit fqinj Duisburg. Policia konfirmoi se linja është dëmtuar sërish, shkruan DW, transmeton AutoPortali.

“Dyshojmë se të dy sulmet janë kryer në të njëjtën kohë,” deklaroi një zëdhënës i policisë, duke shtuar se oficerët përfunduan mbledhjen e provave deri në mesditë dhe se punimet për riparim do të nisin menjëherë.

Rasti i dytë u zbulua 1.8 kilometra në veri të sulmit të parë, pranë qytetit Angermund.

Deutsche Bahn: Ndërprerjet mund të zgjasin deri të shtunën

Operatori kombëtar i hekurudhave, Deutsche Bahn, e quajti aktin “vandalizëm” dhe paralajmëroi për devijime dhe vonesa në linjat e trenave. Sipas kompanisë, ndërprerjet do të vazhdojnë të paktën deri të shtunën në mëngjes.

Ndër shërbimet më të prekura janë edhe ato që lidhin qytetin me Aeroportin Ndërkombëtar të Düsseldorf-it, aeroporti i katërt më i madh në Gjermani.

Sipas mediave lokale, të premten në mëngjes janë raportuar pritje të gjata në stacionet qendrore të Düsseldorf-it dhe Duisburg-ut, teksa udhëtarët kërkonin alternativa për transport, por nuk është raportuar kaos i madh, pasi shumë qytetarë duket se e kishin parashikuar ndërprerjen pas sabotimit të një dite më parë.

Kush qëndron pas sulmeve?

Përgjegjësinë për incidentin e së enjtes e mori një grup që e quan veten “Komando Angry Birds”, i cili postoi një deklaratë në platformën e majtë Indymedia, ku shkruhej: “Shumë gjëra do të funksiononin shumë më mirë pa sistemin industrial.”

Policia i tha transmetuesit publik rajonal WDR se dyshon për “sabotim”.

Megjithatë, deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin e së premtes, edhe pse deklarata e postuar të enjten bënte fjalë për “sulm(e) të shumta” në rajonin e Düsseldorf-it.

Me 700 deri në 800 lidhje trenash në ditë, linja Düsseldorf–Duisburg është ndër më të ngarkuarat në Gjermani, dhe ndërprerjet në këtë segment kanë pasur efekt zinxhir deri në Berlin, Frankfurt dhe Holandë.

TË FUNDIT