Prodhuesi jugkorean i automjeteve, Hyundai, ka vlerësuar si “historike” marrëveshjen tregtare të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, duke e përshkruar atë si një moment vendimtar për vazhdimin e investimeve dhe strategjisë së saj afatgjatë në tregun amerikan.
Marrëveshja u bë publike më 31 korrik (sipas orës së Seulit), kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në rrjetin e tij Truth Social se kishte arritur një marrëveshje me Seulin që ul tarifat për produktet e importuara nga Koreja e Jugut në SHBA nga 25% në 15%.
Kjo përfshin edhe automjetet dhe pjesët e këmbimit të tyre një çështje që kishte krijuar pasiguri të madhe për industrinë jugkoreane të automjeteve, shkruan Autoblog, transmeton AutoPortali.
Në një deklaratë zyrtare, Hyundai Motor Group – kompania mëmë e markave Hyundai, Kia dhe Genesis tha se kjo marrëveshje “rikonfirmon besimin tonë të palëkundur në tregun amerikan dhe përkushtimin ndaj prodhimit në SHBA.” Grupi theksoi se marrëveshja e re nënvizon rëndësinë e investimit të tij prej 21 miliardë dollarësh në SHBA deri në vitin 2028, i cili do të krijojë mbi 100,000 vende pune, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta.

“Marrëveshja e sotme tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Koresë përfaqëson një arritje historike që forcon aleancën tonë dhe krijon mundësi të paprecedenta për mirëqenie të qëndrueshme,” thuhet në deklaratën e Hyundai Motor Group.
Investimi 21 miliardë dollarësh dhe një fabrikë çeliku si gur themeli
Kjo marrëveshje pason njoftimin e muajit mars 2025, ku Hyundai Motor kishte shpallur planin për një investim të guximshëm prej 21 miliardë dollarësh në prodhimin në SHBA, i cili do të rrisë kapacitetin vjetor të prodhimit në 1.2 milion automjete.
Shtylla kryesore e këtij investimi është një fabrikë çeliku prej 6 miliardë dollarësh në Luiziana, që do të prodhojë 2.7 milion tonë çelik në vit dhe do të hapë 1,400 vende pune. Fabrika do të operohet nga Hyundai Steel dhe pritet të jetë një nga elementët kyç të zinxhirit të furnizimit për prodhimin e automjeteve në SHBA.
Koreja e Jugut: Marrëveshja barazon terrenin me konkurrencën globale
Sipas Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ekonomisë së Koresë së Jugut, SHBA mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit. Rreth 19% e eksporteve të Koresë së Jugut shkojnë drejt tregut amerikan.
Në një deklaratë të përkthyer nga koreanishja, ministria theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes, duke thënë se ajo “largon një pasiguri të madhe”, sidomos pas përfundimit të negociatave tarifore me vende të tjera si Japonia dhe Bashkimi Evropian. /AutoPortali



