Lexus drejt një ndryshimi të madh, lamtumirë disa prej modeleve më të dashura
L

Lexus drejt një ndryshimi të madh, lamtumirë disa prej modeleve më të dashura

Pas një kohe të gjatë pa ndryshime të mëdha në katalogun e saj, Lexus po përgatitet për një ristrukturim të thellë, që pritet të sjellë fundin e disa prej modeleve më ikonikë të markës.

Modelet IS dhe RC, që kanë qenë prej vitesh pjesë e pandryshueshme e gamës së Lexus, do të ndalojnë prodhimin në nëntor 2025, duke i dhënë fund një epoke për sedanin sportiv dhe kupenë elegante.

Sipas AutoBlog, ky vendim prek veçanërisht modelin IS 500 me motor V8, shumë i vlerësuar për performancën dhe tingullin e veçantë, transmeton AutoPortali.

Sipas njoftimit zyrtar në faqen japoneze të Lexus, do të ndërpritet prodhimi i këtyre versioneve:

  • IS 500
  • IS 350
  • IS 300h (AWD)
  • IS 300
  • RC 350
  • RC 300h
  • RC 300

Në deklaratë thuhet:

“Faleminderit që keni konsideruar automjetet tona. Prodhimi i modeleve të mësipërme do të përfundojë në nëntor 2025. Shitjet do të ndalen sapo porositë të arrijnë kapacitetin prodhues për muajin nëntor. Në varësi të kohës kur planifikoni blerjen, disa paketa mund të mos jenë më të disponueshme. Ju lutemi kontaktoni përfaqësuesin lokal të Lexus për detaje.”

Model i ri IS në horizont, RC mund të mos rikthehet fare

Sipas burimeve të brendshme dhe raportimeve të fundit, Lexus pritet të rikthejë modelin IS në një version të gjeneratës së re që nga viti 2026, me më shumë opsione të elektrifikuara, në përputhje me drejtimin e ri të markës. Por V8-shi legjendar i IS 500 nuk pritet të rikthehet.

Ndërsa për modelin RC, nuk është e sigurt nëse do të ketë një zëvendësues të drejtpërdrejtë, por fotografitë spiunuese dhe zërat në industrinë e makinave flasin për një kupë sportive të re nga Lexus që mund të shfaqet së shpejti.

RC F Final Edition është shitur plotësisht

Lexus ka konfirmuar gjithashtu se RC F Final Edition, e cila ishte kufizuar në vetëm 200 njësi, është shitur plotësisht. Njoftimi në faqen zyrtare thotë:

“Ju falënderojmë për besnikërinë tuaj të vazhdueshme. Ju njoftojmë me keqardhje se RC F ‘Final Edition’ ka arritur numrin e kufizuar prej 200 njësive dhe tashmë është e shitur. Shitjet për RC ‘Final Edition’ do të vazhdojnë deri në përfundim të prodhimit në nëntor 2025.”

Ndalesa të tjera: LC, UX 300e dhe së shpejti UX 300h

Lista e largimeve nuk ndalet këtu. Modeli LC, flagship-i luksoz i Lexus, pritet të ndalojë prodhimin gjatë vitit 2026, ndërsa SUV-ja elektrike UX 300e do të largohet nga prodhimi në fund të këtij viti. Ndërkohë, edhe UX 300h do të ndalojë në mars 2026.

Nuk është krizë, por fazë tranzicioni për modelet e reja

Megjithëse ky “spastrim” i modeleve mund të tingëllojë si një krizë për Lexus, në fakt është më tepër një moment i natyrshëm riorganizimi për të bërë vend për modelet e reja. Lexus ka prezantuar së fundmi sedanin e ri ES me opsione të përmirësuara të motorit, si dhe RZ-në elektrike të përditësuar me më shumë fuqi dhe karikim më të shpejtë.

Këtyre u shtohen edhe modelet shumë të kërkuara me motorë klasikë me djegie, si GX dhe RX, që vazhdojnë të sjellin shitje të larta dhe stabilitet për markën. /AutoPortali

TË FUNDIT