“The National”: Tirana, perla e Ballkanit që po magjeps Lindjen e Mesme

“The National”: Tirana, perla e Ballkanit që po magjeps Lindjen e Mesme

Jehona e turizmit shqiptar ka mbërritur deri në Lindjen e Mesme. Gazeta prestigjioze “The National”, që botohet në Abu Dhabi dhe është në pronësi të shtetit, i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, duke e përshkruar si një perlë të Ballkanit dhe një destinacion të përballueshëm, tërheqës dhe të pasur me histori, transmeton AutoPortali.

Me largimin e linjës direkte të kompanisë “Wizz Air” mes Abu Dhabit dhe Tiranës, që pritet të përfundojë më 31 gusht, “The National” sugjeron se tani është momenti ideal për të përjetuar një fundjavë ndryshe në kryeqytetin dinamik të Shqipërisë. Linja ka qenë aktive që nga shtatori i vitit 2021 dhe ofron fluturime tre herë në javë – të hënave, të mërkurave dhe të premteve.

Një kryeqytet kompakt, i gjallë dhe historik

Në një përshkrim plot vlerësim, Tirana cilësohet si një qytet intriguese, që ndërthur ndikimet osmane, trashëgiminë e epokës komuniste dhe zhvillimet bashkëkohore. Me vendndodhje vetëm 30 minuta larg aeroportit dhe e përshkueshme tërësisht në këmbë, Tirana ofron një eksperiencë të larmishme dhe intensive – madje edhe në gusht, kur temperaturat janë rreth 8°C më të ulëta sesa në Abu Dhabi.

Për turistët me buxhet të kufizuar, qyteti ofron atraksione të shumta që mund të vizitohen brenda 48 orëve, pa harxhuar shumë.

Pikat kryesore që nuk duhen humbur

Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, është pika nga ku nis çdo eksplorim. Emri i tij vjen nga heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa statuja e tij madhështore mbi kalë qëndron në qendër të sheshit, i rrethuar nga ndërtesa historike si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operës.

Xhamia e Et’hem Beut, ngjitur me sheshin, vlerësohet si një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare në Shqipëri. Me afreske të rralla që pasqyrojnë peizazhe natyrore dhe jetë të qetë, ajo i mbijetoi politikave shtypëse ateiste të regjimit komunist dhe sot mbetet simbol i shpirtit elastik të vendit.

Bunk’Art 1 është një tjetër atraksion i thellë dhe unik: një kompleks bunkerësh të nëndheshëm të ndërtuar për elitën politike gjatë regjimit komunist, që sot shërben si muze dhe hapësirë arti. Me një çmim prej 500 lekësh (rreth 20 dirhamë), vizitorët mund të përjetojnë atmosferën e frikës, propagandës dhe izolimit që karakterizoi epokën e Hoxhës.

Piramida e Tiranës, dikur muze për diktatorin Enver Hoxha, sot ofron një pamje unike të qytetit. Ngjitja në strukturën e pjerrët është falas dhe shoqërohet me panoramë të gjerë të Tiranës, e rrethuar nga malet.

Arkitekturë moderne dhe oaz natyror

Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” është i domosdoshëm. I hapur në vitin 2019 mbi ish-stadiumin “Qemal Stafa”, ky objekt modern ka kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe përfaqëson arkitekturën sportive më bashkëkohore në vend. Turneu guiduar kushton 1,500 lekë (rreth 65 dirhamë) dhe përfshin dhomat e zhveshjes, ambientet VIP dhe fushën.

Vetëm pak minuta më tutje, Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni artificial ofrojnë qetësi, ajër të pastër dhe shtigje për ecje apo vrap. Shëtitja rreth liqenit (5.3 km) zgjat rreth 45 minuta dhe është mjaft e preferuar nga vendasit për relaks dhe aktivitete në natyrë.

Një fundjavë me ritëm të shpejtë, por plot përmbajtje

“The National” sugjeron që udhëtimi të përfundojë me një mbrëmje në Bllok, zona më elegante dhe e gjallë e Tiranës, e mbushur me kafene, bare dhe restorante moderne. Ndër të tjera, artikulli thekson edhe teleferikun për në malin e Dajtit, Pazarin e Ri dhe Kalaja e Tiranës, e cila sot është shndërruar në një rrugicë për këmbësorë me dyqane artizanale dhe lokale tradicionale.

Shansi i fundit (për tani)

Tirana përshkruhet si një “thesar i papritur” – një qytet që ofron shumë, është i lehtë për t’u eksploruar dhe i përballueshëm për çdo xhep. Me linjën direkte nga Abu Dhabi që përfundon më 31 gusht, ky muaj është ndoshta rasti i fundit për të përjetuar kryeqytetin shqiptar pa ndërrime fluturimi.

“Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, tek shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet panoramike nga majat e qytetit, Tirana ofron shumë më tepër sesa pritet”, shkruan “The National”. /AutoPortali

TË FUNDIT