Franca turistëve: Vishuni kur dilni nga plazhi
F

Franca turistëve: Vishuni kur dilni nga plazhi

Një qytet bregdetar në Francë ka ndërmarrë masa ndaj turistëve që largohen nga rëra me rrobat e plazhit të veshura, për të hyrë në tregje, dyqane apo restorante të qytetit.

“Pak përmbajtje, ju lutem!” ishte thirrja e bërë javën e kaluar në rrjetet sociale nga Yannick Moreau, kryetari i bashkisë së Les Sables d’Olonne, një destinacion i njohur turistik në bregun perëndimor të Francës, që çdo verë mirëpret turma turistësh shumica nga vetë Franca, shkruan EconomicTimes, transmeton AutoPortali.

Në një intervistë për mediat, Moreau tha se sjellja e vizitorëve që enden të zhveshur nëpër qytet është bërë gjithnjë e më e zakonshme vitet e fundit. “Turistët lënë plazhin dhe hyjnë në tregje, dyqane ushqimore dhe restorante me rroba banje. Më mjafton,” tha ai.

“Nëse shkon në treg për të blerë ushqime lokale – fruta, perime, mish nuk mund të jesh gjysmë i zhveshur, me flokët që bien mbi produktet ushqimore,” tha Moreau. “Është çështje dinjiteti.”

Vetëm gjatë muajit korrik, autoritetet lokale kanë gjobitur 10 persona të gjithë turistë francezë – me gjoba deri në 150 euro. Kjo është shifra më e lartë mujore që prej futjes së rregullit në vitin 2020.

“Unë nuk e di nëse është një refleks për të treguar muskujt,” ironizoi Moreau. “Apo një përpjekje për t’u nxirë më shpejt, pa humbur asnjë orë diell.”

Les Sables d’Olonne, një ndër resortet e para bregdetare të Francës, ofron kilometra të tëra plazhi. “Ka mjaft hapësirë për të qenë gjysmë i zhveshur, nëse kjo është çfarë dëshiron,” tha kryebashkiaku. “Ka edhe plazh nudist, nëse preferon të jesh krejtësisht i zhveshur.”

Qyteti nuk është i vetmi në Europë që ka vendosur kufizime të tilla. Me rritjen e fluksit turistik, shumë destinacione bregdetare kanë nxjerrë rregulla për mënyrën e veshjes së vizitorëve. Në disa zona të Spanjës, është e ndaluar të qarkullosh me rroba banje edhe në shëtitoret përgjatë bregut apo rrugicat ngjitur, dhe gjobat mund të arrijnë qindra euro. Këtë të enjte, bordi i turizmit në Málaga publikoi një thirrje në rrjete sociale: “Vishuni plotësisht.”

E njëjta logjikë ndiqet edhe në Itali, ku qytete si Sorrento kanë gjobitur dhjetëra turistë që shëtisin pa bluzë. Kryetari i bashkisë e përshkroi sjelljen si “të papërshtatshme dhe të përhapur”. Në Dubrovnik, Kroaci, që prej vitit 2018, autoritetet ndalojnë shëtitjen me rroba plazhi nëpër qytet.

Moreau theksoi se rregulli nuk ka të bëjë vetëm me normat shoqërore, por edhe me higjienën publike:

“Kur je në autobus për në plazh, krah për krah me të tjerët, nuk dëshiron të jesh në kontakt me lëkurën e fqinjit,” tha ai.

Megjithatë, përkundër frustrimit të tij, kryebashkiaku mbetet optimist se fushata do t’i sjellë qytetit më shumë vëmendje ndërkombëtare.

“Les Sables d’Olonne meriton të jetë më i njohur,” tha ai. “Na vizitoni, do t’ju mirëpresim me kënaqësi.” Nëse jeni të veshur siç duhet. /AutoPortali

TË FUNDIT