Aston Martin heq dorë nga F1 dhe synon dalje nga tregu financiar
A

Aston Martin heq dorë nga F1 dhe synon dalje nga tregu financiar

Aston Martin po përballet me sfida të mëdha financiare dhe tashmë nuk pret më të gjenerojë fitim këtë vit. Ndikimi i tarifave amerikane dhe kërkesa në rënie në tregun kinez e ka detyruar kompaninë të ulë pritshmëritë financiare për vitin 2025, duke deklaruar se objektivi është që të mbyllë vitin e ardhshëm pa humbje, shkruan Motor1, transmeton AutoPortali.

Në përpjekje për të siguruar likuiditet, Aston Martin ka nënshkruar një marrëveshje të detyrueshme për të shitur 4.6% të aksioneve të saj në ekipin e Formula 1, për 146 milionë dollarë. Blerësi nuk është bërë publik. Ky injeksion financiar pritet të ndihmojë operacionet ditore të divizionit të makinave rrugore, pa ndikuar ndjeshëm në ekipin garues.

Edhe pse Aston Martin nuk do të ketë më aksione në skuadrën e Formula 1, emri i ekipit do të mbetet “Aston Martin Aramco Formula One Team”, falë një marrëveshjeje afatgjatë komerciale mes dy palëve. Kujtojmë se ky ekip ka kaluar përmes disa identiteteve: më parë njihej si Racing Point dhe më herët si Force India.

Ndërkohë, konsorciumi Yaw Tree Investments, i udhëhequr nga Lawrence Stroll dhe aksionari kryesor i kompanisë, pritet të rrisë pjesën e zotëruar në Aston Martin nga 27.67% në 33%, me gjasë përmes një injeksioni tjetër kapitali. Këto dy burime financimi pritet të garantojnë vazhdimësinë e operacioneve deri në fund të vitit.

A po planifikon Aston Martin të largohet nga bursa?

Sipas analistit të “Third Bridge”, Orwa Mohamad, një nga skenarët që po shqyrtohet është kalimi i kompanisë në pronësi private, për të thjeshtuar strukturën dhe për të reduktuar kostot administrative që vijnë me listimin publik.

“Kalimi në privat po konsiderohet si një rrugë e mundshme për të rritur fleksibilitetin dhe për të tërhequr partnerë afatgjatë”, thotë Mohamad për CityAM.

Aston Martin u listua në bursë në tetor të vitit 2018, me një çmim prej 19 paundësh për aksion, duke arritur një vlerësim prej 5.76 miliardë dollarësh. Sot, vlera e një aksioni është vetëm 71 peni (rreth 0.94 dollarë), duke e ulur vlerën e kompanisë në afërsisht 1.01 miliard dollarë, sipas Hagerty.

Mohamad thekson se kompania po ndërmerr masa për të ulur kostot, përfshirë optimizimin e materialeve të përdorura, megjithatë kthimi në përfitueshmëri nuk pritet para vitit 2027.

Ajo që i jep një farë sigurie Aston Martinit në këtë periudhë të paqëndrueshme, është klientela e saj elitare. “Blerësit në segmentin ultra-luksoz janë më pak të ndikuar nga luhatjet ekonomike dhe inflacioni, çka i jep kompanisë më shumë hapësirë në përcaktimin e çmimeve”, përfundon Mohamad. /AutoPortali

TË FUNDIT