Një nga avantazhet më të mëdha të kamionëve autonomë po bëhet realitet, operimi i pandërprerë, 24 orë në ditë. Kjo qasje pritet të sjellë ndryshime të mëdha në garën me shoferët njerëzorë.
Sot, teknologjia autonome në nivelin SAE Level 4 është zhvilluar në atë pikë sa që, me mjaftueshëm sensorë radarë dhe kamera, një makinë ose kamion mund të “shohë” qindra metra përpara në rrugë të paktën gjatë ditës, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.
Por operimi i sigurt natën ka qenë gjithmonë një sfidë madhore në zhvillimin e automjeteve autonome, sidomos për kamionët që do të përfitonin ndjeshëm nga rrugët më të zbrazëta jashtë orarit të punës.
Kjo është pikërisht ajo që kompania Aurora Innovation ka arritur, pasi ka nisur operacione tregtare pa shofer në linjën Dallas–Houston.
“Vetëm tre muaj pas lançimit, po operojmë ditë e natë dhe kemi zgjeruar rrjetin tonë të terminaleve deri në Phoenix,” deklaroi Chris Urmson, bashkëthemelues dhe CEO i Aurora-s.

Teknologjia që sheh përtej natës
Sipas kompanisë, operimet gjatë natës dyfishojnë potencialin e përdorimit të kamionëve, falë sistemit të avancuar FirstLight Lidar, që mund të detektojë objekte deri në 450 metra larg, edhe në errësirë. Ky sistem i jep kamionit avantazh prej 11 sekondash krahasuar me një shofer njeri në identifikimin e këmbësorëve, pengesave apo automjeteve të tjera.
Përveç rrugëve më të qeta, natën teknologjia përfiton edhe nga temperaturat më të ulëta, që ndihmojnë pajisjet e brendshme të funksionojnë në mënyrë më efikase. Por avantazhi kryesor është eliminimi i nevojës për ndalesa, pushime apo ndërrim shoferësh, duke mundësuar udhëtime më të gjata dhe më të shpejta.
Një shembull konkret: rruga Fort Worth Phoenix, rreth 1,033 milje, zakonisht kërkon më shumë se 15 orë për një shofer me një kamion të zakonshëm. Kamionët autonomë, që nuk i nënshtrohen kufizimeve prej 11 orësh drejtimi, mund ta përshkojnë më shpejt dhe me më pak ndalesa.
Një hap drejt efikasitetit dhe fitimit
“Ky kapacitet më shumë se dyfishon shfrytëzimin e flotës, shkurton ndjeshëm kohën e dërgesave në distanca të gjata dhe krijon rrugën drejt fitimprurjes për industrinë e kamionëve autonomë,” njofton Aurora.
Por rruga drejt dominimit të transportit autonom nuk është pa pengesa. Deri tani, vetëm disa shtete në jugperëndim të SHBA-së, si Teksasi, kanë treguar hapje të madhe ligjore për kamionët pa shofer. Operimi mes juridiksioneve të ndryshme mbetet i kufizuar.
Një tjetër sfidë është ndërtimi i terminaleve të posaçme për kamionët autonomë, për të cilën Aurora dhe kompani të tjera po punojnë për të përgatitur infrastrukturën e së ardhmes.
“Përparimi ynë i shpejtë po fillon të zhbllokojë vlerën e plotë të teknologjisë pa shofer për klientët tanë dhe kjo ka potencialin të transformojë një industri me vlerë triliona dollarë,” shton Urmson.
Sfida e fundit dhe më e madhe është kostoja krahasuar me drejtimin njerëzor. Industria e robotaksive ka investuar miliarda për të realizuar teknologjinë në nivelin SAE 4, por rruga drejt rentabilitetit mbetet e vështirë. /AutoPortali



