Makinat elektrike në Gjermani: Regjistrimet rriten me 58%, Tesla në rënie
M

Makinat elektrike në Gjermani: Regjistrimet rriten me 58%, Tesla në rënie

Gjermania po përjeton një bum në tregun e makinave elektrike, me një rritje mbresëlënëse të regjistrimeve të automjeteve me bateri gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave nga Autoriteti Federal për Transportin Rrugor (KBA), në korrik u regjistruan 48,600 makina elektrike të reja, një rritje prej 58% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo shifër përfaqëson 18.4% të të gjitha regjistrimeve të reja të automjeteve në vend.

Trendi pozitiv është reflektuar edhe në statistikat vjetore. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 297,000 automjete elektrike, duke shënuar një rritje prej 38.4% në krahasim me periudhën janar–korrik të vitit 2024, transmeton AutoPortali.

Shoqata e Prodhuesve Ndërkombëtarë të Automjeteve (VDIK) e lidh këtë zhvillim me zgjerimin e ofertës së makinave elektrike më të lira dhe më të avancuara teknologjikisht, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë konsumatorë.

Megjithatë, jo të gjithë prodhuesit po përfitojnë nga ky trend. Gjiganti amerikan Tesla ka parë një rënie të ndjeshme të shitjeve në Gjermani, me vetëm 1,100 njësi të shitura gjatë muajit korrik – një rënie prej mbi 55% krahasuar me një vit më parë. Analistët e tregut vlerësojnë se konkurrenca e shtuar dhe mungesa e modeleve të reja mund të jenë faktorë kyç pas këtij tkurrjeje.

Në total, gjatë muajit korrik në Gjermani u regjistruan rreth 264,800 makina të reja, një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – një tregues i kthimit të gjallërisë në tregun e automobilave në vendin me ekonominë më të madhe të Evropës.

TË FUNDIT