Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni kombëtar për pastrimin e akseve rrugore nga ndërtimet informale dhe elementët e shëmtuar që kanë zënë hapësira publike përgjatë rrugëve kryesore të vendit.
Në një postim në Facebook, të shoqëruar me një video ilustrative, Rama thekson se po vendoset një kufi tërheqjeje për subjektet që operojnë pranë rrugëve, të cilat do të jenë të detyruara të largojnë çdo objekt të vendosur nën qiell të hapur, shkruan AutoPortali.
“Ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve, të cilat njëkohësisht duhet të sigurohen se asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur,” shkruan Rama.
Paralelisht me lirimin e hapësirave, qeveria po zbaton edhe fazën e dytë të programit Rilindja Urbane 2.0, që parashikon shtimin e gjelbërimit dhe rikualifikimin estetik të zonave përgjatë akseve kombëtare. Kryeministri e cilësoi këtë nismë si një përpjekje për ta trajtuar hapësirën publike jo si “tokë të askujt”, por si pjesë e “shtëpisë sonë të përbashkët”. /AutoPortali



