Një nga festivalet përfshin edhe fishekzjarrin më të madh në botë, të njohur si ‘Yonshakudama’.
Festivalet e fishekzjarreve të njohura si hanabi taikai janë një pjesë kyçe e kulturës verore në Japoni, duke tërhequr miliona vizitorë çdo vit.
Fjala hanabi, që do të thotë “lule zjarri”, simbolizon festën, bukurinë dhe gjithashtu shërben si një mënyrë për të nderuar të tjerët.
Për shkak të popullaritetit të madh të këtyre festivaleve, pjesëmarrja kërkon shpeshherë planifikim dhe informim të hollësishëm.
Për ta lehtësuar këtë proces, ekspertët e kompanisë shtetërore hekurudhore JR Pass në Japoni kanë përzgjedhur disa nga festivalet më të njohura që po vijnë, duke dhënë edhe këshilla praktike për udhëtarët përfshirë mënyrën më të mirë për të arritur me tren.
Festivali i Fishekzjarreve në Atami, Shizuoka
I planifikuar disa herë gjatë vitit në qytetin Atami, Atami Marine Hanabi Taikai daton që nga viti 1952, shkruan Euronews, transmeton AutoPortali.
Fillimisht u organizua për të ngritur moralin e komunitetit pas një tajfuni dhe zjarri shkatërrues, dhe që atëherë është kthyer në një ngjarje të dashur për publikun.
Vizitorët mbesin të mahnitur nga shpërthimet që pasqyrohen në mënyrë dramatike nga malet përreth Gjirit të Atamit.

Udhëtimi drejt festivalit është relativisht i lehtë, falë një stacioni treni pranë zonës. Nga Tokio, duhen rreth 50 minuta me Shinkansen (treni me shpejtësi të lartë) për të arritur në stacionin Atami.
Nga Osaka apo Kioto, udhëtimi është më i gjatë dhe kërkon ndërrim treni, pasi nuk ka linja direkte për në Atami. Rruga më efikase është me Tokaido Shinkansen deri në Tokio apo Mishima, dhe më pas me një tren lokal ose Shinkansen drejt Atamit.
Festivali i Fishekzjarreve Omagari, Qyteti Daisen
Mbahet çdo vit më 30 gusht në qytetin Daisen, në prefekturën Akita, dhe është një nga festivalet më prestigjioze të fishekzjarreve në Japoni.
Festivali përfshin një garë kombëtare të fishekzjarreve të quajtur Omagari Hanabi, ku piroteknistë nga e gjithë Japonia konkurrojnë për të treguar artin dhe risitë e tyre.
Organizuar që nga viti 1910, festivalin e karakterizojnë teknika të avancuara dhe teknologji të reja që ofrojnë një përvojë unike.
Ekspertët e JR Pass sugjerojnë rezervim të hershëm të vendit për pamje sa më të mira. Mbërritja para perëndimit të diellit ndihmon për të përjetuar të gjithë atmosferën.
Nga Tokio deri në stacionin Omagari duhen rreth tre orë me tren. Nëse udhëtoni nga Osaka apo Kioto, duhet të shkoni më parë në Tokio dhe më pas të merrni Akita Shinkansen drejt Omagari.
Festivali Katakai, Niigata
I zhvilluar më 12 dhe 13 shtator, festivali Katakai është një traditë ku fishekzjarrët përdoren si ofertë për perënditë në Tempullin Asahara.
Në dy ditë shfaqen rreth 15,000 fishekzjarrë, duke përfshirë edhe më të madhin në botë, të njohur si Yonshakudama, me një shpërthim prej 800 metrash në diametër.
Ekspertët e JR Pass sugjerojnë të mbërrini herët dhe të merrni me vete një jastëk ose batanije, pasi vendet për t’u ulur janë në fushë të hapur.
Për të shkuar nga Tokio, Osaka apo Kioto, rekomandohet treni për në stacionin Nagaoka, nëpërmjet Joetsu ose Tokaido Shinkansen (me ndërrim në Tokio nëse vini nga perëndimi).
Nga Nagaoka, vendndodhja e festivalit në Katakai kërkon një udhëtim shtesë. Duhet të merrni JR Joetsu Line deri në stacionin Ojiya (rreth 25 minuta), dhe më pas një autobus ose taksi drejt zonës së festivalit.
Gjithashtu, gjatë festivalit organizohen autobusë të posaçëm nga stacioni Nagaoka për në Katakai, por janë të mbushur, ndaj është mirë të mbërrini herët dhe të prisni. /AutoPortali



