Tri marka të reja fitojnë akses në rrjetin Tesla superkarikues
T

Tri marka të reja fitojnë akses në rrjetin Tesla superkarikues

Disa nga prodhuesit më të njohur të automjeteve elektrike po përfitojnë më në fund nga qasja në rrjetin më të madh dhe më efikas të karikimit të shpejtë në botë.

Lajmi i mirë për drejtuesit e këtyre veturave vjen me një paralajmërim: për t’u lidhur me infrastrukturën e Tesla-s, do t’ju duhet të paguani për përshtatësin.

Lucid, Honda dhe Acura janë markat më të fundit që bashkohen me rrjetin e famshëm të karikimit të shpejtë të Tesla-s.

Modeli Lucid Air, megjithëse ka pasur gjithmonë autonomi të lartë që nga debutimi, do të përmirësohet edhe më shumë për vitin 2026, duke fituar 6% më shumë distancë për një total prej 431 miljesh (rreth 694 km) në versionin Air Touring, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Por momenti kyç pritet të jetë 31 korriku, kur Lucid do të fillojë zyrtarisht qasjen në rrjetin Supercharger të Tesla-s, falë një përshtatësi DC NACS në CCS1 për modelin Air, i cili tashmë po shpërndahet te pronarët. Ndërkohë, SUV-i i ardhshëm Lucid Gravity do të vijë direkt nga fabrika me portë NACS të integruar.

Ky përshtatës për pronarët e Lucid nuk është i lirë – kushton 220 dollarë para taksave. Sipas kompanisë, duke përdorur këtë zgjidhje, Lucid Air mund të karikohet me deri në 50 kW, duke fituar deri në 200 milje autonomi për çdo orë karikimi, gjë që sjell më shumë qetësi për udhëtimet e gjata.

Përmirësime të reja për Air-in e vitit 2026

Lucid ka bërë edhe disa përmirësime teknike për modelin Air të vitit 2026, përfshirë një kompresor të ri ajri të huazuar nga Gravity, me qëllim ftohje më efikase, si dhe përfshirjen standarde të kompletit të ri për karikim shtëpiak “Lucid Mobile Charging Cable Kit”. Ky kit përfshin përshtatësin NEMA 14-50 dhe mundëson karikim në 240 volt dhe 40 ampere, që përkthehet në 40 milje autonomi për orë karikimi.

Në listën e opsioneve tani përfshihen edhe rrotat e reja 19-inç, me pesë fole “Aeronaut”, të disponueshme në dy përfundime: Platinum dhe Stealth. Këto rrota ofrohen në versionet Air Pure, Touring dhe Grand Touring.

Modeli Air Pure do të përfshijë sistemin DreamDrive Premium, si dhe ekran të ri për pasagjerin në pjesën e pasme, së bashku me një hapësirë të re depozitimi, nëse zgjidhet paketa shtesë “Comfort and Convenience”.

Rritje çmimesh për vitin 2026

Ky përmirësim sjell edhe një rritje çmimesh:

  • Lucid Air Pure rritet me 1,000 dollarë, duke filluar nga 72,400 $
  • Air Touring me dy motorë gjithashtu shkon në 81,400 $
  • Air Grand Touring AWD pëson rritjen më të madhe – 4,000 $ më shumë, për një total prej 116,400 $

Lucid prezantoi edhe një veçori tjetër të rëndësishme këtë muaj: Asistent për drejtim pa duar dhe ndërrim korsi automatik, përmes përditësimeve “over-the-air”, në paketën DreamDrive Pro – një qasje që ndjek shembullin e Tesla-s.

Supercharger-i, pika kyçe në konkurrencë me Tesla Model S

Aksesi në rrjetin e Supercharger-ve të Tesla-s konsiderohet si një hap strategjik për tërheqjen e blerësve të rinj, sidomos ndaj Tesla Model S, një model që, pavarësisht disa rifreskimeve, mbetet i bazuar në një platformë të vitit 2012 dhe nuk pritet të ridizajnohet para vitit 2030.

“Përveç se ofrojmë automjetin elektrik me distancën më të madhe, Lucid është e përkushtuar t’u japë klientëve tanë qasje të lehtë dhe të gjerë në karikues publikë,” deklaroi Emad Dlala, zëvendëspresident për sistemet e fuqisë në Lucid Motors. “Qasja në rrjetin Tesla Supercharger për Lucid Air është një tjetër moment kyç për ne.”

Edhe Honda dhe Acura hyjnë në lojë

Lucid nuk është e vetmja që përfiton këtë verë. Honda Prologue dhe binjaku i saj, Acura ZDX, tashmë kanë qasje në 23,500 pika karikimi të Tesla-s nëpërmjet një përshtatësi të ri DC NACS-CCS, të miratuar nga Honda.

Ky përshtatës tashmë është në shitje nëpër dyqanet Honda dhe Acura, si dhe online në Honda DreamShop, me çmim prej 225 dollarësh.

“Tesla kërkon përdorimin e përshtatësve të aprovuar dhe për këtë arsye, edhe Honda rekomandon përdorimin vetëm të këtyre zgjidhjeve,” thuhet në deklaratën e përbashkët të Honda dhe Acura. “Dëmet që vijnë nga përdorimi i pajisjeve jo të aprovuara nuk mbulohen nga garancia.”

Gjetja e stacioneve të karikimit është bërë më e lehtë me Google Maps të integruar në këto dy automjete, por fillimisht, përdoruesit do të duhet të përdorin aplikacionin e Tesla-s për të nisur karikimin. Mbështetja për aplikacionet HondaLink dhe Acura EV, si dhe funksioni “plug-and-charge”, pritet të aktivizohen më vonë. /AutoPortali

TË FUNDIT