Crystal Palace do të garojë në Conference League në sezonin e ardhshëm, pasi humbi betejën ligjore ndaj UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Kjo gjykatë ndërkombëtare mbështeti vendimin fillestar të UEFA-s për të mos e lejuar klubin anglez të marrë pjesë në Europa League, për shkak të shkeljes së rregullores mbi pronësinë e shumëfishtë të klubeve.
Sipas rregullave të UEFA-s, dy klube që ndajnë të njëjtin pronar nuk mund të garojnë në të njëjtin kompeticion evropian, transmeton AutoPortali.
Biznesmeni amerikan John Textor zotëron 43% të aksioneve në Crystal Palace, por gjithashtu kontrollon edhe klubin francez Lyon, që u kualifikua në Europa League këtë sezon.
Duke qenë se Lyon e përfundoi sezonin në një pozicion më të lartë se Palace në kampionatin përkatës, UEFA vendosi t’i japë përparësi klubit francez, duke e zhvendosur Crystal Palace në Ligën e Konferencës.
Ky vendim përfaqëson një goditje të madhe për klubin londinez, i cili kishte fituar FA Cup dhe ishte në pritje të debutimit në një kompeticion më të lartë evropian.
Sipas vlerësimeve, mungesa në Europa League mund t’i shkaktojë klubit një humbje ekonomike rreth 20 milionë paund.
Në vendin e Palace në Europa League do të përfshihet Nottingham Forest, duke përfituar nga situata e krijuar. /AutoPortali



