Williams me kërkesë të veçantë për Formula 1
W

Williams me kërkesë të veçantë për Formula 1

Shefi i ekipit Williams, James Vowles, thotë se Formula 1 ka ende kohë për të përmirësuar rregulloren e vitit 2026 dhe për të lehtësuar ngarkesën e lartë mendore që makinat e reja po u shkaktojnë pilotëve.

Nga viti i ardhshëm, F1 do të ketë ndryshime të mëdha si në shasinë ashtu edhe në njësitë e fuqisë, duke kaluar në një raport afër 50-50 mes motorit me djegie të brendshme dhe energjisë elektrike. Kjo do të kërkojë menaxhim shumë më të ndërlikuar të energjisë gjatë çdo xhiroje.

Simulimet tregojnë se makinat e 2026 janë shumë më të vështira për t’u ngarkuar dhe drejtuar në krahasim me ato aktuale, çka ka shkaktuar shqetësime te pilotët. Charles Leclerc shprehu pakënaqësinë e tij për kompleksitetin e makinës në simulatorin e Ferrarit, ndërsa Alex Albon tha se ngarkesa mendore është e madhe, por se makina mund të kuptohet me kohë dhe përshtatje.

Vowles kërkoi që të mos nxirren përfundime të nxituara nga përshtypjet e para:

“Herën e parë ishte e vështirë, herën e dytë më mirë, dhe pas katër herësh, gjërat nisën të duken normale. Kemi ende shumë punë për ta rafinuar sistemin dhe për ta bërë më të lehtë për pilotin, por kemi edhe gjashtë muaj kohë, ndaj jam optimist”.

Ai nuk është i shqetësuar për ndikimin në parakalime, edhe pse DRS do të zëvendësohet nga një sistem i ri me kontroll manual të energjisë:

“Me mënyrën se si mund të luash me energjinë dhe mënyrat e funksionimit, mendoj se mund të kemi diferenca më të mëdha në shpejtësinë në vijat e drejta, gjë që mund të përmirësojë, jo të dëmtojë, parakalimet”.

TË FUNDIT