Rrezik aksidenti, Ford tërheq mbi 103 mijë automjete në ShBA
R

Rrezik aksidenti, Ford tërheq mbi 103 mijë automjete në ShBA

Kompania amerikane e prodhimit të automjeteve Ford po tërheq nga tregu mbi 103 mijë kamionçina F-150 në Shtetet e Bashkuara, për shkak të bulonave të boshtit që mund të thyhen dhe të shkaktojnë lëvizje të pakontrolluara të automjetit ose humbje të fuqisë së lëvizjes.

Lajmi u konfirmua të martën nga Administrata Kombëtare e Sigurisë Rrugore të SHBA-së (NHTSA), shkruan Reuters, transmeton AutoPortali.

Sipas autoritetit amerikan të sigurisë rrugore, thyerja e bulonës së boshtit mund të dëmtojë “axle hub splines” pjesë që transferojnë fuqinë nga boshti te rrotat dhe ndihmojnë në rrotullimin e tyre.

Dëmtimi i këtyre pjesëve mund të bëjë që automjeti të lëvizë edhe kur është në gjendje “park” pa frena dore të aktivizuara, ose të humbasë fuqinë e lëvizjes gjatë drejtimit, duke rritur rrezikun e një aksidenti.

Raporti thekson se nëse bulona e boshtit të pasmë lirohet, shoferët mund të dëgjojnë një zhurmë “klikimi”. Në rast se bulona thyhet, mund të dëgjohet një zhurmë “trokëllime”.

Si masë korrigjuese, Ford do të zëvendësojë pa pagesë komplet boshtin e pasmë në këto automjete.

Tërheqja nga tregu prek modelet F-150 të prodhuara nga viti 2023 deri në 2025, ndërsa NHTSA vlerëson se rreth 1% e automjeteve kanë këtë defekt. /AutoPortali

TË FUNDIT