VW dhe Bosch, në garë për integrimin e AI në veturat autonome
V

VW dhe Bosch, në garë për integrimin e AI në veturat autonome

Volkswagen dhe Bosch po bashkëpunojnë për të integruar inteligjencën artificiale në veturat autonome, duke synuar të ofrojnë funksionalitete të avancuara të vozitjes pa duar dhe pa sy mbi rrugën për pronarët e automjeteve private.

Ky bashkëpunim, i njohur si Automated Driving Alliance, po zhvillon një paketë softuerike për nivelet SAE 2 dhe 3 një hap poshtë teknologjisë robotaxi të nivelit 4 dhe 5, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Tesla mund ta ketë popullarizuar përdorimin e AI përmes opsionit të saj Full Self-Driving (Beta), por sistemi ende kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nuk është gati për funksionim të pavarur.

Ndërkohë, Bosch dhe njësia e softuerit të VW, Cariad, po e përdorin AI-n jo vetëm për drejtimin autonom, por edhe për kontrollin e motorit, njohjen e objekteve dhe përpunimin e të dhënave nga sensorët.

Sipas Cariad, e ardhmja e vozitjes automatike do të bazohet në një arkitekturë të plotë AI, ku të gjitha modulet do të bëhen më të fuqishme dhe inteligjente.

Qëllimi është ofrimi i nivelit SAE 3 për një gamë të gjerë situatash, duke u lejuar shoferëve të largojnë duart nga timoni në kushte të caktuara. Modelet e para tashmë janë në testim dhe po përmirësohen çdo ditë me sasi të mëdha të dhënash.

VW ka testuar versionin SAE 4 të modelit ID. Buzz në kushte klimatike ekstreme, ndërsa funksionet e reja pritet të hyjnë në prodhim nga mesi i vitit 2026. Këto teknologji do të përfshihen në arkitekturën e re të automjeteve të përkufizuara nga softueri të Grupit Volkswagen, ndërsa Bosch planifikon t’ua ofrojë edhe prodhuesve të tjerë.

“Po tregojmë se industria gjermane e automobilave ka zotëruar teknologjitë kyçe të inteligjencës artificiale dhe vozitjes automatike”, tha Peter Bosch, CEO i Cariad. Sipas tij, ky zhvillim siguron një pjesë thelbësore të sovranitetit digjital të Evropës.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse AI mund të jetë çelësi për përhapjen masive të nivelit SAE 3, ndërsa robotaxit e nivelit 4 kërkojnë standarde shumë më komplekse. Teknologjia e re po testohet aktualisht në VW ID. Buzz dhe Audi Q8, duke përdorur AI për të analizuar skenaret e trafikut urban dhe për të parashikuar sjelljen e pjesëmarrësve në trafik nga burime të ndryshme të sensorëve.

Industria automobilistike është në një garë të fortë për të qenë e para që ofron vozitje plotësisht të lirë nga vëmendja e shoferit një objektiv që është ndjekur prej më shumë se një dekade. /AutoPortali 

TË FUNDIT