Rrjeti i ri i karikimit për kamionë elektrikë synon transportin pa ndotje
R

Rrjeti i ri i karikimit për kamionë elektrikë synon transportin pa ndotje

Udhëtimi nga Los Anxhelos në Phoenix me kamion elektrik gjysmërimorkio do të bëhet së shpejti një realitet i përditshëm.

Prej kohësh është e qartë se transporti rrugor me kamionë elektrikë nuk mund të zhvillohet pa ndërtimin e korridoreve kryesore të karikimit përgjatë rrugëve më të ngarkuara të mallrave.

Por ky proces ka marrë hov vetëm këtë dekadë, pasi disa prodhues kanë hedhur në treg modele gjysmërimorkiosh elektrike që mund të përshkojnë qindra milje pa ndalur.

Segmenti i parë i korridorit të karikimit të kompanisë Greenlane synon të lidhë Los Anxhelosin me Las Vegasin përgjatë 280 miljeve të autostradës Interstate 15, me disa stacione në ndërtim në Baker, Barstow dhe Colton, në Kaliforni.

Ky rrjet lidhet drejtpërdrejt me portet e LA dhe Long Beach, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Këtë javë, kompania ka zbuluar planet për një korridor të dytë, i cili do të lidhë Jugu e Kalifornisë me Phoenix-in në Arizona përgjatë Interstate 10.

Stacioni “super” në Colton, i hapur në prill dhe me mbi 60 pika karikimi, do të jetë pjesë e tij, ndërsa stacione të tjera do të ndërtohen pranë Blythe (CA) dhe Phoenix-it.

Karikim me fuqi kulmore 772 kW

Rruga prej 300 miljesh nga Colton në Phoenix është e realizueshme vetëm në kushte ideale dhe për një numër shumë të kufizuar kamionësh elektrikë me distancë të gjatë.

Modeli Windrose R700 Class 8 ka përshkuar me sukses rrugët Colton–Buckeye (pranë Phoenix) dhe Colton–Las Vegas me një ngarkesë totale prej 74,420 paundësh, duke përdorur dy porta karikimi njëkohësisht me fuqi kulmore prej 772 kW afër standardit të ardhshëm MCS.

Sipas CEO-së së Greenlane, Patrick Macdonald-King, ky korridor është zgjedhur strategjikisht për të mbështetur transportuesit dhe dërguesit e mallrave që mbajnë gjallë ekonominë. Ai thekson se arritjet e Windrose tregojnë se rrjeti i tyre i karikimit mund të përballojë edhe operacionet më të kërkuara të transportit.

Ushqim, tualete dhe siguri 24/7

Operatori Nevoya, një kompani transporti elektrik, është ndër të parët që do të përdorë këtë korridor, duke pasur bazën në Colton. Ky stacion përfshin 12 korsi të kalimit të drejtpërdrejtë dhe 29 korsi për kamionë të mesëm dhe të rëndë, si dhe shërbime të rralla në pikat e karikimit elektrik: ushqim në vend, tualete, siguri 24 orë dhe hapësira zyrash.

Megjithatë, sfida mbetet: jo të gjitha flotat kanë kamionë elektrikë që mund të përshkojnë mbi 300 milje me një karikim, edhe pse modelet e reja nga prodhuesit kryesorë janë shtuar. Përveç infrastrukturës, kërkohet ende një logjikë biznesi që justifikon blerjen e këtyre automjeteve të shtrenjta.

Nëse korridoret si ky arrijnë të fitojnë terren në jugperëndim të SHBA-së, ato mund të hapin rrugën për transportin zero-emision nga portet e Los Anxhelosit dhe Long Beach drejt qyteteve të mëdha në lindje të Kalifornisë.

Në të ardhmen, një rrjet që shtrihet deri në Teksas e Bregun e Gjirit do të jetë thelbësor për një tranzicion masiv në transportin elektrik të mallrave. /AutoPortali

TË FUNDIT