Dy avionë përplasen në Aeroportin e Mançesterit
D

Dy avionë përplasen në Aeroportin e Mançesterit

Një incident ka ndodhur në Aeroportin e Mançesterit mëngjesin e së premtes, rreth orës 06:30 sipas kohës lokale, kur dy avionë janë përplasur gjatë lëvizjes në pistë. Sipas një zëdhënësi të aeroportit, një avion i kompanisë EasyJet ka prekur me majën e krahut një tjetër avion, pa shkaktuar lëndime për pasagjerët.

Fatmirësisht, nuk është raportuar për persona të lënduar. Të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga avionët, të cilët ishin planifikuar të fluturonin për në Paris dhe Gjibraltar. Pas incidentit, fluturimet u pezulluan për një periudhë të shkurtër, ndërkohë që autoritetet realizuan një vlerësim të sigurisë, duke konstatuar dëme të vogla në strukturën e avionëve.

Tynisha Chaudhry, pasagjere në fluturimin për në Gjibraltar, ka përshkruar momentin si një “goditje të madhe”, duke thënë se “i gjithë avioni u dridh, ishte si një përplasje makinash”. Ajo ka shtuar se menjëherë pas incidentit, shumë automjete zjarrfikëse dhe personel sigurie mbërritën në vendngjarje, ndërsa pasagjerët qëndruan në bord për disa kontrollime të sigurisë.

Pavarësisht shqetësimit të krijuar, atmosfera në bord ka qenë përgjithësisht e qetë, megjithëse disa fëmijë dhe prindër janë shprehur të shqetësuar deri në momentin kur janë kthyer në terminal.

Në një deklaratë për mediat, EasyJet ka konfirmuar ngjarjen, duke thënë se dy avionët janë përplasur në momentin që po lëviznin drejt pistës. Kompania ka siguruar që pasagjerët janë zbarkuar dhe janë pajisur me kuponë për pije freskuese, ndërkohë që janë organizuar avionë zëvendësues për të realizuar fluturimet e planifikuara. EasyJet ka kërkuar ndjesë për vonesat dhe ka theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti i saj kryesor.

Autoritetet e aeroportit po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit.

TË FUNDIT