Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën paradite në komunën e Lipjanit, ku një burrë ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me traktor. Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima, një mashkull kosovar, dyshohet se ka ndezur mjetin bujqësor në mënyrë të parregullt dhe pa kujdes, teksa ai ndodhej në shpejtësi.
Traktori ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar dhe ka goditur vetë pronarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente të qytetit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij, shkruan AutoPortali.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.




