Një teknologji e re po synon të zëvendësojë karburantet tradicionale dhe t’i japë fund ankthit të karikimit tek pronarët e makinave elektrike.
Përveç çmimit të lartë fillestar, dy nga arsyet kryesore pse makinat elektrike ende nuk kanë bindur plotësisht konsumatorët mbeten mungesa e infrastrukturës së mjaftueshme dhe koha e gjatë e karikimit.
Edhe pse shumë prodhues tashmë ofrojnë karikim të shpejtë deri në 80% brenda 30 minutash, procesi nuk arrin të barazohet me shpejtësinë e mbushjes së një rezervuari me benzinë apo naftë, shkruan Reportmotori, transmeton AutoPortali.
Për të reduktuar këtë problem, kompania VOLTLAB ka krijuar një powerbank portativ për automjetet elektrike, një mjet emergjent që mund të merret gjithmonë me vete.

Nuk është i krahasueshëm me një stacion karikimi, por ofron energji të mjaftueshme për të dalë nga situata kritike, nëse përdoruesi është i gatshëm të presë pak më gjatë.
Mbi këtë ide, kompania kroate EV Clinic ka shkuar edhe më tej duke zhvilluar pajisjen Not-a-Canister. Nga jashtë ngjan si një bidon i madh benzine, por në të vërtetë është i mbushur me qeliza të ricikluara Panasonic 18650NMC, të marra nga bateritë e defektuara të Tesla Model S.
Ky proces jo vetëm që krijon një mjet praktik, por edhe jep jetë të dytë mbetjeve teknologjike.
Me një kapacitet prej 5,2 kWh (4,2 kWh të shfrytëzueshme), pajisja është e pajisur edhe me inverter Vitron, duke lejuar karikim deri në 3 kW. Përveç kësaj, ofrohet me prizë 230 V dhe me rrota për transport më të lehtë.
Pesha prej 50 kilogramësh dhe çmimi i kripur prej 4.999 eurosh mbeten pengesat kryesore, por pajisja shihet si një “shpëtim” për drejtuesit e makinave elektrike që druajnë se mund të mbeten pa energji. /AutoPortali



