Volkswagen po përballet me një padi kolektive për shkak të butonëve me prekje në timonin e modelit elektrik ID.4, të cilët, sipas shoferëve, janë tepër të ndjeshëm dhe kanë shkaktuar aksidente gjatë parkimit.
Dy pronarë në New Jersey kanë paditur kompaninë gjermane, duke pretenduar se butonët kapacitivë në modelet ID.4 të prodhuara nga 2021 deri në 2023 janë defekt. Ata thonë se mjafton një prekje e lehtë mbi timon për të riaktivizuar kontrollin adaptiv të shpejtësisë, gjë që ka shkaktuar përshpejtim të paqëllimshëm, shkruan Motor1, transmeton AutoPortali.
Njëra prej paditëseve raportoi se makina e saj përshpejtoi papritur ndërsa po parkonte, pasi dora i kaloi mbi sensor, duke shkaktuar dëme mbi 14 mijë dollarë në pjesën e poshtme të automjetit dhe duke i lënduar dorën. Në një tjetër rast, shoferi humbi kontrollin gjatë parkimit dhe u përplas me derën e garazhit, duke dëmtuar si makinën, ashtu edhe objektin.

Edhe pse vetëm dy persona janë të përfshirë në padi, dokumenti përmban një sërë ankesash të tjera të dorëzuara pranë Administratës Kombëtare të Sigurisë Rrugore (NHTSA) nga pronarë të tjerë të ID.4. Raportet përfshijnë raste të përshpejtimit të paqëllimshëm, dështime të sistemit të frenimit emergjent dhe lëndime të shkaktuara nga përplasjet. Shumica e incidenteve kanë ndodhur gjatë manovrimit për parkim, shpesh pasi shoferët kishin prekur pa dashje butonin e komandës.
Një shofer ka rrëfyer: “Ndërsa po dilja nga një vend parkimi, gishti im preku butonin e kontrollit të shpejtësisë në timon. Sistemi u riaktivizua dhe makina u përshpejtua pa shkelur pedalin. Për fat, arrita ta ndaloja me frenim.”
Por jo të gjithë kanë qenë kaq me fat. Një tjetër ankesë e dorëzuar në janar 2024 tregon se makina ka përshpejtuar papritur tre herë gjatë parkimit, duke kaluar mbi një trotuar dhe duke hyrë në një oborr. Shoferja, me mbi 40 vite përvojë pa aksidente, tha se “kjo makinë nuk duhet të lejohet në rrugë.”
Padia pretendon se Volkswagen ka shkelur disa ligje mbi garancinë dhe mbrojtjen e konsumatorit në Massachusetts dhe Connecticut. Ndërkohë, prodhuesi gjerman ka njoftuar se po e heq këtë teknologji nga modelet e reja, por kjo nuk i zgjidh problemet e mijëra automjeteve tashmë në qarkullim. /AutoPortali



