Nga pista te ankandi, Ferrari Daytona SP3 shkruan histori
N

Nga pista te ankandi, Ferrari Daytona SP3 shkruan histori

Ferrari ka shkruar histori në Monterey Car Week 2025, ku një model i vetëm, i njohur si Daytona SP3 “599+1”, u shit për 26 milionë dollarë në ankandin e RM Sotheby’s duke vendosur një rekord të ri për shitjen më të shtrenjtë të një Ferrari në ankand.

Të ardhurat nga kjo shitje do të shkojnë për Fondacionin Ferrari, i cili financon projekte arsimore dhe komunitare.

Nga legjendat klasike te një kryevepër moderne

Ferrari është ndër emrat më të fuqishëm në botën e ankandeve, me modele ikonike si 250 GTO që zakonisht tërheqin ofertat më të larta. Por këtë herë, jo një klasik i viteve ‘60, por një ndërtim unik i serisë së kufizuar Daytona SP3, tërhoqi vëmendjen dhe theu rekordet, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali.

Modeli Daytona SP3, pjesë e Icona Series të prezantuar fillimisht në vitin 2021, frymëzohet nga makinat e garës të viteve ‘60 si Ferrari 330 P3/4, i cili i solli markës një fitore historike në Daytona 1967. Nën kapak, SP3 fuqizohet nga një motor V12 6.5 litra i modifikuar, me 828 kuaj fuqi, që e çon nga 0-100 km/h për vetëm 2.8 sekonda.

“599+1” ndërtimi i veçantë për bamirësi

Fillimisht Ferrari planifikoi vetëm 599 njësi të modelit SP3, të gjitha të rezervuara menjëherë. Por kompania vendosi të ndërtonte një makinë shtesë për bamirësi – e quajtur simbolikisht “599+1”.

Për këtë, Ferrari aktivizoi departamentin Tailor Made, duke i dhënë modelit një pamje unike: kombinim asimetrik të verdhës “Giallo Modena” me fibra karboni të lëmuara. Për herë të parë në një Ferrari rrugor, logoja e markës shtrihet si grafik nga pjesa e përparme deri në pjesën e pasme të makinës.

Brendësia është po aq ekskluzive: sedilje të veshura me material Q-Cycle të prodhuar nga goma të ricikluara, rripa sigurie të verdhë dhe elementë karboni të marrë nga skuadra Ferrari F1, të vendosur në formë flamuri shahu.

Të ardhura për një kauzë humanitare

Shuma rekord do të mbështesë Fondacionin Ferrari, i cili së fundmi ka bashkëpunuar me organizatën Save the Children për rindërtimin e shkollës Aversion Charter në Kaliforni, e shkatërruar këtë vit nga zjarri Eaton Wildfire.

Ky Ferrari i vetëm nuk është vetëm një kryevepër automobilistike, por edhe një shembull se si pasioni për makinën mund të kthehet në kontribut për shoqërinë. /AutoPortali

TË FUNDIT