Honda përballet me padi kolektive për shkak të motorëve problematikë
H

Honda përballet me padi kolektive për shkak të motorëve problematikë

Honda është vënë nën akuzë nga qindra klientë në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë ngritur një padi kolektive kundër kompanisë japoneze. Shkak janë problemet serioze me motorët, që sipas paditësve mund të bllokohen ose të marrin flakë, duke përbërë rrezik për sigurinë.

Klientët e prekur kërkuan nga kompania zëvendësim ose riparim të motorëve, por kërkesa e tyre u refuzua nga drejtuesit e Honda-s, shkruan Reportmotori, transmeton AutoPortali.

Si pasojë, pronarët e automjeteve të dëmtuara janë bashkuar në një class action, duke e çuar çështjen në gjykatë.

Ata akuzojnë kompaninë për shkelje të garancisë dhe të ligjeve që mbrojnë konsumatorët.

Në qendër të padisë janë motorët me katër cilindra prej 1.5 dhe 2.0 litrash i-VTEC, të njohur për konsum të ulët, elasticitet dhe performancë të lartë.

Sipas specifikimeve, këta motorë duhej të ishin të qëndrueshëm deri në rreth 320 mijë kilometra, por shumë klientë pretendojnë se defektet janë shfaqur shumë më herët.

Modelët e prekur përfshijnë:

  • Honda Accord (2018–2022)
  • Honda Civic (2016–2022)
  • Honda CR-V (2017–2022)
  • Acura TLX (2019–2022)
  • Acura RDX (2021–2022)

Padia parashikon proces me juri, kërkesë për kompensim të dëmeve dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore. Nëse pronarët e këtyre modeleve vërejnë dalje të tymit të bardhë nga shkarkimi që mund të tregojë hyrjen e lëngut ftohës në pistona ata mund të bashkohen në këtë proces gjyqësor kundër Honda-s.

Megjithëse marka japoneze gëzon reputacion global për besueshmëri, në tregun amerikan kjo çështje shihet si një prej skandaleve më të mëdha që ka goditur Honda-n vitet e fundit. /AutoPortali

TË FUNDIT