Ferrari që kombinon performancën e garave me përdorimin rrugor
F

Ferrari që kombinon performancën e garave me përdorimin rrugor

Një Ferrari 296 GTB pothuajse i papërdorur, me vetëm 250 milje të përshkuara, po shitet aktualisht në platformën Exotic Car Trader me çmim 365 mijë dollarë. Modeli hibrid, që përfaqëson “hyrjen” në gamën e motorëve të mesëm të Ferrarit, kombinon teknologjinë e garave me përdorimin në rrugë dhe konsiderohet si një nga supermakinat më të avancuara të markës italiane.

296 GTB është versioni që Ferrari garon në kategorinë GT3 dhe përdor një sistem V6 turbo-hibrid, i ngjashëm me teknologjinë e Formula 1, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali.

Me motorin 3.0 litra V6 bi-turbo dhe një motor elektrik të integruar në kutinë me 8 marshe me dy tufë, makina ofron 818 kuaj fuqi dhe 740 Nm çift rrotullues. Performanca është mbresëlënëse: 0-100 km/h në vetëm 2.9 sekonda dhe shpejtësi maksimale prej 330 km/h.

Në pistën e testimit Fiorano, 296 GTB ka mposhtur pararendësin e saj, F8 Tributo, me 1.5 sekonda diferencë.

Megjithëse V6 mund të duket modest krahasuar me motorët legjendarë V8 të Ferrarit, historia e markës tregon të kundërtën.

Një V6 1.5 litra fuqizoi modelin “Sharknose” me të cilin Phil Hill fitoi kampionatin botëror të F1 më 1961, ndërsa variante të tjera të këtij motori janë përdorur si në garat sportive, ashtu edhe në modelet rrugore si Dino 246 GT.

Përveç performancës, 296 GTB ofron edhe funksionalitet elektrik: bateria 7.4 kWh mundëson deri në 25 km autonomi vetëm me energji elektrike, duke u bërë pjesë e strategjisë së Ferrarit për elektrifikim.

Modele si 296 Speciale, SF90 Stradale dhe hypercar-i i ri F80 mbështeten gjithashtu në sisteme hibride.

Megjithatë, entuziazmi i klientëve për modelet elektrike të pastra mbetet i ulët. Ferrari planifikon të prezantojë modelin e parë 100% elektrik në tetor, por një tjetër EV është shtyrë për në vitin 2028.

Në të kundërt, një Ferrari SP3 Daytona jo-hibrid, model unik “Tailor Made”, u shit për 26 milionë dollarë në Monterey Car Week dëshmi se fansat vazhdojnë të preferojnë traditën e motorëve me benzinë. /AutoPortali

TË FUNDIT