Amerikanët të gatshëm të blejnë makina kineze, por politika ua mbyll tregun
A

Amerikanët të gatshëm të blejnë makina kineze, por politika ua mbyll tregun

Një raport i ri për tregun e makinave në SHBA tregon se konsumatorët janë gjithnjë e më të hapur ndaj markave kineze, por realiteti politik e bën hyrjen e tyre në tregun amerikan pothuajse të pamundur.

Prej më shumë se 20 vitesh, prodhuesit kinezë të makinave kanë paralajmëruar hyrjen në SHBA brenda pak vitesh, por kjo nuk ka ndodhur kurrë përveç disa modeleve të montuara në Kinë nga markat Buick dhe Volvo, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Sipas një raporti të përbashkët të Dave Cantin Group (DCG) dhe Kaiser Associates, 40% e konsumatorëve amerikanë të anketuar do të konsideronin blerjen e një makine kineze. Ajo që është më befasuese është se 75% e shitësve me pakicë presin që një markë kineze të hyjë në treg brenda një viti. Megjithatë, DCG vlerëson se kjo është shumë pak e mundshme në klimën aktuale politike.

“Përballueshmëria është fjala kyçe në mesin e vitit 2025. Ajo po ndikon pothuajse në çdo aspekt të industrisë së makinave, duke shtyrë interesin drejt modeleve më të lira kineze dhe duke e bërë të pamundur për prodhuesit që t’ua kalojnë tarifat konsumatorëve pa humbur pjesë tregu,” tha presidenti i DCG, Brian Gordon.

Klima armiqësore ndaj importeve

Edhe pse shumë amerikanë janë të gatshëm të blejnë makina kineze, sidomos elektrike, gjetja e tyre në treg mbetet problem. Klima politike në SHBA është më armiqësore se kurrë ndaj mallrave të prodhuara në Kinë, veçanërisht automjeteve, duke pasur parasysh qëndrimin e administratës aktuale edhe ndaj makinave të prodhuara në Kanada.

Edhe markat evropiane po përballen me paqartësi për shkak të tarifave doganore, të cilat ende nuk janë vendosur përfundimisht.

Ndërkohë, raporti thekson se prodhuesit kinezë kanë bërë përparim të madh në Evropë, sidomos në tregun e makinave elektrike. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, ata kanë dyfishuar pjesën e tregut në BE, me një rritje prej 91% të shitjeve krahasuar me një vit më parë. Në prill, BYD për herë të parë shiti më shumë makina se Tesla në Evropë.

Raporti e konsideron të mundshëm një “shpërndarje të kontrolluar” të makinave kineze në SHBA, por thekson se përfitimet politike për administratën janë të paqarta. Nga ana tjetër, rizgjedhja e Donald Trump shihet si një goditje e madhe për prodhuesit kinezë të makinave elektrike, pasi ai ka kërcënuar për muaj me radhë me tarifa ndaj industrive evropiane, japoneze dhe koreane.

“Kemi arritur kulmin e kamionëve”

Raporti evidenton një tjetër prirje të rëndësishme: konsumatorët amerikanë po kërkojnë makina më të lira dhe duket se kanë ngopur veten me kamionët e mëdhenj.

“Kemi arritur pikën kulmore të kamionëve, pasi konsumatorët po shtyjnë për më shumë opsione të përballueshme, sidomos sedanë, duke e lënë një pjesë të tregtarëve në vështirësi me gamën e produkteve të tyre,” thuhet në raport.

Koreano-jugorët fitojnë terren

Një tjetër gjetje është rritja e dukshme e interesit për markat koreano-jugore. Sipas raportit, interesi për makinat japoneze dhe amerikane ka rënë, ndërsa konsumatorët po orientohen më shumë drejt prodhuesve koreanë.

Tesla humb terren ndaj konkurrencës

Raporti thekson gjithashtu se Tesla po përballet me konkurrencë gjithnjë e më të fortë. Linja e saj e modeleve është plakur dhe “Cybertruck” humbi shpejt ritmin e shitjeve.

Sot Tesla nuk është më e vetmja në tregun e makinave elektrike: japonezët, koreanët, suedezët dhe gjermanët kanë lançuar modele në segmente të ndryshme, shpesh aty ku Tesla nuk është e pranishme. Përveç Roadster-it të gjeneratës së dytë i premtuar prej gati një dekade nuk ka modele të reja në horizont.

Ndërkohë, niveli i tretë i autonomisë së drejtimit (SAE Level 3) nuk duket i afërt për Teslën, që duket se po mjaftohet me rifreskime kozmetike të modeleve ekzistuese. Strategjia ka funksionuar deri në fillim të vitit 2025, por konsumatorët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se Model 3 është në prodhim që nga viti 2017, ndërsa Model S prej vitit 2012. /AutoPortali

TË FUNDIT