Një revolucion po ndodh në autostradat e Çekisë. Një pjesë e rrugës mes qyteteve Tabor dhe Ceske Budejovice, me gjatësi 50 km, tani ka një limit të ri shpejtësie prej 150 km/h, një rekord historik për vendin dhe një hap të rëndësishëm në harmonizimin e shpejtësisë së makinave moderne me kushtet e rrugës.
Sipas Reportmotor, ky vendim vjen pas debatit të gjatë mbi shpejtësinë maksimale në autostrada në Evropë, ku shumë vende po rrisin gradualisht limitet për të përshtatur potencialin e makinave moderne pa rrezikuar sigurinë rrugore.
Deri më tani, limitet prej 130 km/h konsideroheshin të ulëta, veçanërisht për segmentet e gjatë autostradale, transmeton AutoPortali.
Megjithatë, autoritetet në Çeki theksojnë se shpejtësia maksimale prej 150 km/h do të zbatohet vetëm në kushte optimale moti.
Në rast të reshjeve ose kushteve të tjera të pafavorshme, drejtuesit e mjeteve duhet të ulin shpejtësinë për siguri.
Rritja e limitit në këtë pjesë të autostradës shihet si një hap drejt modernizimit të infrastrukturës rrugore dhe harmonizimit me standardet e tjera evropiane, duke synuar lëvizje më të shpejtë dhe më efikase për drejtuesit.
Çekia bëhet kështu një nga vendet e para në Europën Qendrore-Lindore që provon shpejtësinë maksimale 150 km/h, duke vendosur një precedent për vendet e tjera. /AutoPortali



