Honda synon të sjellë AI në rrugët e botës, fillimisht me sistemin NOA
H

Honda synon të sjellë AI në rrugët e botës, fillimisht me sistemin NOA

Prodhuesi japonez i automjeteve Honda ka bërë një njoftim të rëndësishëm për partneritetin e tij me kompaninë californiane të inteligjencës artificiale, Helm.ai, për të zhvilluar teknologji të avancuara për ndihmën e drejtuesit dhe sistemet e vozitjes automatike, të cilat pritet të shfaqen në modelet e Hondas deri në vitin 2027.

Mahito Shikama, Zv/President i Honda Software Defined Vehicle Business Supervisory Unit, theksoi se ky bashkëpunim ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dhe përvojës së vozitjes përmes inteligjencës artificiale.

“Ky zhvillim i përbashkët mbështet objektivin e Honda-s për të realizuar teknologji automatike të sigurta dhe të përballueshme për klientët tanë globalë,” tha Shikama.

“Përmes bashkëpunimit me Helm.ai, po avancojmë zhvillimin e teknologjive të AI që rrisin aplikueshmërinë reale të sistemeve të vozitjes autonome, duke na afruar më shumë drejt një të ardhmeje pa viktima në trafikun rrugor.”

Platforma NOA, zemra e teknologjisë Honda

Sistemi kryesor i këtij bashkëpunimi është platforma Navigate on Autopilot (NOA) e Honda-s, një sistem pjesërisht automatik që kërkon “vëmendje të vazhdueshme nga drejtuesi” dhe mund të përdoret në rrugë të shpejta dhe qytete komplekse.

Sistemi NOA përdor një kornizë të avancuar AI që kupton mjedisin përreth, merr vendime për të kontrolluar automjetin, ndihmon në drejtim, përshpejtim dhe ndjekje të itinerarit nga shtëpia deri te destinacioni. Honda synon të zgjerojë këtë teknologji në të gjitha modelet e saj dhe synon një lançim në vitin 2027.

Helm.ai ofron inteligjencën e sistemit, përmes modeleve të avancuara të AI që mësojnë automjetin të “shohë” rrugën, të parashikojë ngjarjet dhe të marrë vendime në kohë reale. Honda ka qenë investitore e Helm.ai që nga viti 2021, duke përfshirë një injeksion prej 30 milionë dollarësh në fazën e hershme të financimit. Helm.ai, e themeluar në 2016 në Redwood City, Kaliforni, ka bashkëpunuar edhe me prodhues të tjerë si Volkswagen.

Vladislav Voroninski, CEO dhe themelues i Helm.ai, theksoi: “Ky zhvillim i përbashkët tregon vizionin tonë të përbashkët për të mundësuar lëvizshmëri të bazuar në AI në shkallë masive.”

Sistemet ekzistuese të Honda-s në SHBA

Aktualisht në SHBA, Honda ofron Advanced Driver Assistance Systems (ADAS) përmes Honda Sensing në automjetet Honda dhe AcuraWatch në modelet Acura, me funksione si frenimi për parandalimin e përplasjes, mbrojtja nga dalja nga rruga, ndihma në qëndrimin në korsinë e lëvizjes, njohja e sinjaleve të trafikut dhe kontrolli adaptiv i shpejtësisë.

Megjithëse këto sisteme nuk arrijnë nivelin e Ford BlueCruise apo GM Super Cruise, njoftimi i fundit tregon ambicien e Honda-s për të arritur teknologjitë më të avancuara autonome.

TË FUNDIT