Kompanitë kineze të makinave elektrike po rrisin investimet në fabrika jashtë vendit, teksa shtojnë konkurrencën ndaj Teslës dhe prodhuesve të tjerë globalë.
Për herë të parë që prej vitit 2014, zinxhiri i furnizimit të makinave elektrike (EV) në Kinë vitin e kaluar investoi më shumë jashtë vendit sesa brenda tij, sipas një raporti të firmës amerikane të konsulencës Rhodium Group.
Pjesa më e madhe e investimeve të shpallura jashtë vendit, ose 74%, ishte në fabrika baterish, thuhet në raport. Por u vu re se edhe investimet në uzina montimi jashtë vendit po “rriten me shpejtësi”.
Planet e shpenzimeve vijnë në një kohë kur prodhuesit kinezë përballen me konkurrencë të ashpër në tregun e brendshëm dhe me tarifa më të larta mbi eksportet. Rritja e fabrikave jashtë vendit mund t’i ndihmojë bizneset kineze të fitojnë mbështetje nga qeveritë e huaja për zgjerimin e tregut.
“Rritja e pengesave rregullatore në tregje pritëse si BE-ja po vështirëson hyrjen dhe do të shtyjë më shumë kompani kineze të zhvendosin prodhimin,” thuhet në raportin e Rhodium.
Investimet e industrisë kineze të makinave elektrike në prodhimin vendas ranë ndjeshëm në 15 miliardë dollarë në vitin 2024, nga 41 miliardë dollarë në vitin 2023, pas një kulmi mbi 90 miliardë dollarë në vitin 2022, sipas të dhënave të Rhodium.
Ndërsa investimet jashtë vendit kanë mbetur shumë më të ulëta, ato “e kaluan ngushtësisht” nivelin e brendshëm në vitin 2024 për herë të parë, sipas raportit, pa dhënë një shifër të saktë.
Më shumë marrëveshje në horizont
Automobilizmi ishte sektori i dytë më aktiv për investimet kineze jashtë vendit në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas një studimi tjetër të Rhodium të publikuar në fund të korrikut. Sektori i materialeve dhe metaleve renditej i pari.
“Ne regjistruam një aktivitet më të lartë se zakonisht nga prodhuesit e pjesëve të makinave elektrike, me tetë transaksione që kapërcyen 100 milionë dollarë,” thuhej në raportin e korrikut. “Më i madhi ndër to u udhëhoq nga GEM, prodhues kinez i materialeve për bateri, i cili investoi 293 milionë dollarë për zgjerimin e fabrikës së tij të parakursorëve ternarë në Indonezi.”
Disa projekte fabrikash jashtë vendit të shpallura vitet e fundit kanë nisur tashmë prodhimin.
Great Wall Motor njoftoi fundjavën e kaluar se hapi fabrikën e parë në Brazil të premten. Kompania po shqyrton gjithashtu një fabrikë tjetër në rajon dhe pritet të marrë vendimin që në mesin e vitit të ardhshëm.
BYD gjithashtu filloi prodhimin në fabrikën e saj të parë në Brazil në korrik, pavarësisht një gjobe të marrë më herët gjatë vitit për praktikat e punës. Gjiganti kinez i makinave elektrike ka shitur më shumë se 545,000 makina jashtë vendit këtë vit deri në korrik, duke tejkaluar totalin prej mbi 417,000 makinash për të gjithë vitin 2024.
Më herët këtë verë, furnizuesi kinez i baterive Envision njoftoi në qershor se kishte nisur zyrtarisht prodhimin në fabrikën e tij të parë në Francë.
Megjithatë, këto investime jashtë vendit përfshijnë vetëm projektet e përfunduara. Vetëm 25% e të gjitha planeve të shpallura për prodhim jashtë vendit nga industria kineze e makinave elektrike janë realizuar, shumë më pak se norma 45% për ato brenda vendit, thekson Rhodium, duke shtuar se projektet jashtë vendit kanë dy herë më shumë gjasa të anulohen.
“Firmat kineze do të duhet të menaxhojnë gjithashtu shqetësimet në rritje të Pekinit për rrjedhjen e teknologjisë, humbjen e vendeve të punës dhe tkurrjen e industris, gjë që mund të sjellë kontrolle më të forta mbi investimet jashtë vendit në sektorët strategjikë,” thuhet në raport. / CNBC



