Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, duke publikuar edhe rrëfime të pushuesve të huaj dhe vendas që po kalojnë pushimet në rivierën shqiptare.
Në një postim në rrjete sociale, Rama sjell përvojat e vizitorëve nga Australia, Italia, Britania e Madhe dhe vende të tjera, të cilët shprehen të mahnitur nga deti, plazhet, ushqimi dhe mikpritja shqiptare.
“Është e pabesueshme. Deti është i mrekullueshëm, njerëzit janë të dashur”, thotë një pushuese nga Australia.
Një tjetër nga Milano e cilëson Himarën si destinacionin e preferuar, ndërsa pushues vendas tregojnë se rikthehen çdo vit në Dhërmi për shkak të natyrës dhe ushqimit, shkruan AutoPortali.
“Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve”, shkruan Rama në përshkrimin e videos.
Promovimi i kryeministrit vjen në një sezon turistik rekord për vendin. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, gjatë këtij viti numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri është rritur me 80%. Plazhet e virgjëra, ujërat e kristalta, monumentet historike, fshatrat piktoreskë, mikpritja dhe çmimet e favorshme kanë shtuar fluksin e turistëve vendas dhe të huaj në bregdetin shqiptar. /AutoPortali



