Hyundai sjell Insteroid, makinë retro për botën virtuale
H

Hyundai sjell Insteroid, makinë retro për botën virtuale

yundai ka prezantuar në panairin ndërkombëtar të videolojërave Gamescom 2025 koncept-makinën “Insteroid”, një model retro që vjen i shoqëruar me një lojë arcade ku automjeti shfaqet si personazhi kryesor.

Sipas AutoBlog, koncepti Insteroid bazohet në modelin real elektrik Hyundai Inster, i cili tashmë tregtohet në tregje si Koreja e Jugut, Lindja e Mesme dhe Europa, duke u dalluar për stilin e veçantë “karikaturesk” dhe hapësirën e brendshme, transmeton AutoPortali.

Në versionin e ri, Hyundai e ka transferuar këtë frymë në botën virtuale, përmes një loje retro që do të jetë e aksesueshme së shpejti në faqen zyrtare të kompanisë.

Dizajni i Insteroid është një zgjerim i linjës vizuale që Hyundai ka aplikuar edhe në modelet Ioniq, ku tema piksel përdoret si element dallues.

Koncepti i ri thekson më tej këto detaje me drita LED në formë pikselësh dhe elementë motorsport, duke dhënë përshtypjen e një makine të dalë nga një lojë garash 8-bit.

Përveç dizajnit, projekti shërben si një strategji marketingu inovative. Përmes lojës arcade, Hyundai e bën të mundur që publiku global të përjetojë konceptin Insteroid pa qenë i pranishëm fizikisht.

Kjo formë ndërveprimi jo vetëm që sjell nostalgjinë e videolojërave klasike, por e paraqet teknologjinë e automjeteve elektrike në një mënyrë argëtuese dhe të afërt me brezin e ri të konsumatorëve.

Me këtë qasje, Hyundai demonstron se makinat elektrike nuk janë vetëm të qëndrueshme dhe praktike, por edhe pjesë e kulturës pop, duke u shfaqur si një kombinim mes inovacionit dhe argëtimit. /AutoPortali

TË FUNDIT