Rikthim i fuqishëm i Infinitit, Q50 mund të vijë me manual
R

Rikthim i fuqishëm i Infinitit, Q50 mund të vijë me manual

Infiniti po përgatit rikthimin e modelit Q50 në vitin 2027 dhe mund të ofrojë një version me marsh manual, sipas burimeve nga një konferencë e fundit për shitësit. Ky do të jetë një kthim i papritur për sedanin sportiv që u tërhoq nga tregu në vitin 2024.

Lajmi u raportua fillimisht nga Automotive News, e cila thekson se Infiniti ka njoftuar shitësit për një gjeneratë të re të Q50, me debutim të planifikuar për vitin 2027, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Performancë e lartë dhe manual opsional

Q50 i ri pritet të ndërtohet mbi platformën e Nissan Z, që aktualisht përdor një motor V6 3.0 litërsh me turbo të dyfishtë dhe 400 kuaj fuqi. Ky motor mund të jetë baza e versionit standard të sedanit, ndërsa mund të ofrohet edhe një variant më i fuqishëm me motorin e Nissan Z Nismo, i cili prodhon 420 kuaj fuqi.

Sipas të njëjtave burime, Infiniti po shqyrton seriozisht mundësinë që Q50 i ri të ofrohet me marsh manual, një opsion që ka munguar në modelet e fundit të markës dhe që do të rikthente ndjesinë klasike të vozitjes në segmentin e sedanëve sportivë.

Fokus te SUV-të elektrike, por Q50 mbetet me benzinë

Ndërsa Infiniti kishte planifikuar më parë një sedan elektrik, duket se ai projekt është lënë mënjanë në favor të SUV-ve elektrike. Q50 i ri pritet të mbetet një model me motor me djegie të brendshme, duke i qëndruar besnik performancës tradicionale.

Detaje të mëtejshme për dizajnin, pajisjet dhe çmimet e Q50 2027 ende nuk janë bërë publike, por pritjet janë që modeli të përfaqësojë një përzierje të performancës së lartë, dizajnit modern dhe ndjesisë klasike të vozitjes. /AutoPortali

TË FUNDIT