Nissan Xterra pritet të rikthehet si SUV elektrik në vitin 2028
N

Nissan Xterra pritet të rikthehet si SUV elektrik në vitin 2028

Nissan Xterra mund të rikthehet si SUV elektrik deri në vitin 2028, nëse zhvillimet politike dhe tregtare në SHBA nuk e pengojnë planin.

Kompania ka dorëzuar një aplikim për markën tregtare të emrit “Xterra” në SHBA, ndërsa një imazh promovues i modeleve të ardhshme të Nissan tregoi një SUV me formë kutizore, relina të theksuara në tavan dhe një siluetë të njohur për fansat e modelit të dikurshëm.

Sipas Motortrend, shefi i planifikimit në Nissan, Ponz Pandikuthira, në një intervistë për Autoblog tha se ringjallja e Xterra-s po “merret në konsideratë shumë seriozisht”, duke shtuar se po diskutohet edhe pamja e mundshme e modelit të ri, transmeton AutoPortali.

Rikthimi i Xterra-s shihet si një lëvizje logjike, pasi tregu po mbushet me SUV-e të orientuara për terrene të vështira, si Ford Bronco dhe Toyota Land Cruiser. Gjenerata e parë e Xterra-s (2000–2015), që fitoi çmimin “Truck of the Year” nga MotorTrend në vitin 2000, pati sukses pikërisht në këtë segment.

Platforma dhe motorizimi

Sipas të dhënave fillestare, Nissan planifikon që modeli i ri të ketë motor elektrik me bateri. Prototipi i prezantuar kishte një hundë të shkurtër dhe hapësirë të mjaftueshme midis akseve për të vendosur baterinë, çka e mbështet këtë skenar.

Po ashtu, e njëjta platformë pritet të përdoret edhe për një SUV elektrik me formë kupe të markës Infiniti. Të dy modelet do të prodhohen në fabrikën e Nissan në Misisipi, e cila po përshtatet me investime të mëdha për prodhimin e automjeteve elektrike.

Megjithatë, planet e Nissan janë përballur me sfida. Kompania ka njoftuar masa të rrepta kursimi, ka reduktuar numrin e platformave globale dhe ka anuluar ndërtimin e një fabrike baterish në Japoni. Përveç kësaj, ndryshimet e shpeshta në subvencionet dhe tarifat për makinat elektrike në SHBA kanë shtyrë nisjen e Xterra-s nga viti 2027 në fund të vitit 2028, ndërsa modeli i lidhur i Infiniti-t është planifikuar për vitin 2029.

Alternativat e mundshme

Pavarësisht pasigurive, analistët besojnë se Xterra ka gjasa të mbijetojë edhe nëse Nissan anulon disa nga projektet tjera elektrike. Një SUV elektrik i aftë për terrene të vështira, me dizajn robust dhe hapësirë të madhe nga toka, mund të ketë kërkesë edhe jashtë tregut amerikan.

Një opsion tjetër, ndonëse më pak i mundshëm, është kthimi i Xterra-s në rrënjët e saj duke u bazuar në platformën e pikapit Frontier, me trup mbi shasi dhe motor me djegie të brendshme. Një version i tillë do të mund të konkurronte drejtpërdrejt me Bronco-n dhe Land Cruiser-in, sidomos nëse prodhohet në SHBA për të shmangur tarifat dhe taksat doganore.

Çmimi dhe lansimi

Çmimi i pritshëm i modelit varion mes 38.000 dhe 48.000 dollarëve, ndërsa lansimi i tij në treg pritet në fund të vitit 2028. /AutoPortali

TË FUNDIT