Policia Kufitare e Durrësit ka vënë në pranga një shtetas italian, i cili tentoi të fuste në Shqipëri një automjet të vjedhur në Itali. Arrestimi u bë në hyrje të vendit, pas kontrolleve të shtuara në pikën kufitare të portit.
I ndaluari është identifikuar si G. L., 38 vjeç. Nga verifikimet e kryera nga autoritetet shqiptare, rezultoi se automjeti që ai po tentonte të trafikonte ishte vjedhur në Itali më 25 korrik 2025. Mjeti u sekuestrua menjëherë nga Policia.
Ngjarja ndodhi në kuadër të intensifikimit të kontrolleve dhe intervistimeve në hyrje-daljet e vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në portin e Durrësit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku shtetasi italian do të përballet me akuzën për “Trafikim të mjeteve motorike”. /AutoPortali



