Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditën e sotme pranë Gardës së Liqenit në Tiranë, ku një veturë e një kompanie taksi ka përplasur një të moshuar që po udhëtonte me biçikletë.
Sipas dëshmitarëve, taksia po lëvizte me shpejtësi në momentin e përplasjes, ndërsa i moshuari mbeti i plagosur rëndë në kokë dhe humbi shumë gjak. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. Gjendja e tij mbetet ende e paqartë, raporton Lajmiifundit, transmeton AutoPortali.
Një nga qytetarët që ishin dëshmitarë të ngjarjes tregoi: “Një aksident i rëndë ka ndodhur tek ish-Garda e Liqenit. I moshuari u përplas nga një taksi, ndërsa taksistët janë shpesh të nxituar dhe ndodhin probleme të tilla. Ai u dërgua me ambulancë në spital.”
Një tjetër dëshmitar shtoi: “Taksia e ‘Green Taxi’ ishte aty. Shumë njerëz u afruan me shpejtësi, disa filmonin. Plagët ishin të rënda, gjaku dilte nga veshët. Ambulanca arriti shpejt, por mjekët kishin frikë ta preknin për shkak të gjakderdhjes.”
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkaqet e aksidentit apo gjendjen e pacientit. /AutoPortali



