Një aksident trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, ku janë përfshirë një autobus dhe një veturë.
Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë pësuar lëndime trupore.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se rasti është regjistruar rreth orës 07:30 dhe se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse për të trajtuar rastin, transmeton AutoPortali.
“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë. Si pasojë, lëndime kanë pësuar katër persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Aktualisht, me rastin është duke u marrë Njësia e Trafikut të Kryeqytetit, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve apo shkaqet e sakta të aksidentit.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht në orët e mëngjesit kur rrugët janë më të ngarkuara, për të shmangur raste të tilla me pasoja për shëndetin dhe jetën e pjesëmarrësve në komunikacion. /AutoPortali



