Visar Gjikolli është fitues i garës së parë në auto sllallom me vetura elektrike, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës.
Anëtari i KMDK pati kohën e përgjithshme prej 01:12.705 minuta.
“Jam i kënaqur për fitoren dhe për faktin që pas një viti u rikthyem në këto gara. Sot gjithçka ishte shumë mirë, duke filluar nga organizimi, shtegu e konkurrenca. Në fund të tetorit i kemi edhe dy gara në të cilat shpresoj të kem rezultate të mira dhe pse jo të jem fitues i kampionatit”, ka thënë “Gjika” pas fitores.
Në pozitën e dytë u rendit Genc Macula i Eurogoma RT, ndërsa në podium u gjend edhe Faton Majanci, po ashtu i Eurogoma RT.
Në garën e dytë fitues doli Dren Mariqi. Anëtari i AMKK pati kohë prej 01:12.917 minuta, pas anjë penallti.
“Ishte garë mjaft e fortë, me organizim të mirëfilltë dhe me garues që u treguan shumë të mirë. Disa prej tyre i njoh edhe nga disiplinat tjera, por pati edhe të rinj. Gjithsesi jam i kënaqur me fitoren dhe pres që rezultate të tilla të arrij edhe në të ardhmen”, ka thënë Mariqi.
Në pozitën e dytë sërish u rendit Genc Macula, ndërsa i treti doli fituesi i garës së parë, Visar Gjikolli.