Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur të martën pasdite në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ku janë përfshirë një veturë dhe një traktor.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20 dhe në të janë përfshirë dy mjete të drejtuara nga persona të gjinisë mashkullore, shtetas të Kosovës. Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i traktorit, i cili është dërguar për trajtim mjekësor, përcjell AutoPortali.
Megjithatë, rreth orës 22:54, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se i lënduari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i veturës është ndaluar dhe ndodhet në mbajtje.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.