Bashkimi debuton sonte në grupet e FIBA Europe Cup ndaj Cibona Zagreb
B

Bashkimi debuton sonte në grupet e FIBA Europe Cup ndaj Cibona Zagreb

Skuadra e Bashkimit nga Prizreni do të shënojë sonte një moment historik në rrugëtimin e saj sportiv, duke debutuar për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Kjo paraqitje në një nga garat më prestigjioze të basketbollit evropian shënon një arritje të rëndësishme jo vetëm për klubin prizrenas, por për të gjithë basketbollin kosovar.

Në këtë ndeshje të parë të grupit, Bashkimi do të përballet me një kundërshtar të nivelit të lartë KK Cibona Zagreb, një emër i madh në basketbollin kroat dhe evropian, me një histori të pasur dhe traditë të gjatë në garat ndërkombëtare.

Ndeshja do të zhvillohet në kryeqytetin kroat, Zagreb, me fillim nga ora 18:30.

Atmosfera në Zagreb pritet të jetë e zjarrtë, ndërkohë që Bashkimi do të kërkojë të tregojë karakter, forcë dhe cilësi përballë një kundërshtari me përvojë.

Përballja është jo vetëm sportive, por edhe emocionale, pasi për shumë nga lojtarët dhe stafin kjo është hera e parë që do të përballen me një ekip të këtij kalibri në një skenë ndërkombëtare.

Për shkak të zhvillimeve politike dhe zgjedhjeve në Kosovë, të cilat kanë bërë që palestra “Sezai Surroi” në Prizren të jetë e paqasshme për momentin, ndeshja e parë do të zhvillohet jashtë vendit.

Megjithatë, Bashkimi do të ketë rastin të luajë ndeshjen e kthimit para publikut të vet, në Prizren, ku tifozët e zjarrtë të klubit pritet të krijojnë një atmosferë të paharrueshme.

Kjo pjesëmarrje në FIBA Europe Cup nuk është vetëm një ndeshje është një moment kthese për klubin dhe një mundësi për të ngritur lart emrin e basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Bashkimi synon të përfaqësojë me krenari dhe përkushtim ngjyrat portokalli dhe të tregojë se skuadrat kosovare janë të gatshme të garojnë denjësisht në nivele të larta evropiane. /AutoPortali

TË FUNDIT