Pa mijëra marshalë dhe vullnetarë, asnjë garë e Formula 1 nuk do të mund të zhvillohej. Në Çmimin e Madh të Singaporit, një gazetar i Autosport kaloi një ditë me “heronjtë e padukshëm” të garave.
Në pistë punojnë rreth 1,100 marshalë, me role të ndryshme: disa largojnë mbeturinat, të tjerë operojnë flamujt e sinjalizimit, ndërsa të tjerë kujdesen për zjarrin ose ndihmën emergjente. Çdo sektor ka një drejtues që koordinon komunikimin me “race control”.
Ganesh, 56 vjeç nga India, ka 16 vjet që mbikëqyr Sektorin 5, një nga pikat më të rrezikshme të pistës.
Ai thotë: “Ne jemi sytë dhe veshët e drejtuesve të garës. Kamerat nuk mjaftojnë, ne njoftojmë për çdo incident, sado i vogël”.

Në Singapor, kushtet janë të vështira: nxehtësi, orë të gjata (nga ora 10:45 e mëngjesit deri në 11 të natës), dhe shpesh shi tropikal. Por për marshalët, gjithçka lidhet me pasione dhe bashkëpunim.
Sophia, 30 vjeçe nga Britania, që po merrte pjesë për herë të parë në Singapor, thotë: “E nisa në Silverstone, tani po mundohem të bëj të gjitha garat që i kam dashur si fëmijë. Marshallingu është si një familje, kalon ditë të gjata me njerëz që ndajnë të njëjtën dashuri për sportin”.
Artikulli thekson se F1 është bërë më e larmishme dhe e hapur për gra dhe njerëz nga kultura të ndryshme, falë programeve si “Girls on Track” dhe ndikimit të Lewis Hamilton.

Rui Marques, drejtori i garave të F1, që dikur ishte vetë marshal, thotë: “Një marshal i mirë duhet të jetë gjithmonë gati. Edhe nëse ndodh vetëm një incident gjatë gjithë fundjavës, ai duhet të reagojë me përpikëri dhe qetësi. Ky është pasioni që mban gjallë sportin”.




