Mbrëmja e sotme do të përcaktojë skuadrat çerekfinaliste të UEFA Champions League, me disa përballje vendimtare që pritet të sjellin emocione të mëdha.
Bayern Munich dhe Atlético Madrid synojnë ta konfirmojnë kualifikimin pas fitoreve bindëse në ndeshjet e para të fazës së 1/8 së finales.
Gjiganti bavarez triumfoi me rezultat të thellë 6:1 ndaj Atalanta në Itali javën e kaluar, duke e bërë takimin e kthimit në Allianz Arena më shumë formalitet.
Megjithatë, skuadra nga Bergamo, ku aktivizohet Berat Gjimshiti, pritet të kërkojë një paraqitje më dinjitoze për të shmangur një tjetër disfatë të thellë.
Sipas të gjitha gjasave, në çerekfinale mund të kemi një përballje spektakolare mes Bayern Munichut dhe Real Madrid.
Në anën tjetër, Atlético Madridi ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit pasi e mposhti 5:0 Tottenham Hotspur në Metropolitano Stadium.
Ekipi i drejtuar nga Diego Simeone udhëton drejt Anglisë për ta vulosur kalimin në fazën tjetër, ndërsa londinezët, pavarësisht një sezoni të vështirë, do të tentojnë një rikthim të bujshëm.
Një tjetër përballje e zjarrtë pritet të jetë ajo mes Liverpool dhe Galatasaray. Skuadra turke fitoi ndeshjen e parë në Stamboll me rezultat 1:0 dhe në Anfield do të synojë ta ruajë këtë epërsi minimale.
Megjithatë, përballë do të ketë një kundërshtar të fortë që kërkon përmbysjen para tifozëve të vet.
Ndërkohë, ndeshja mes FC Barcelona dhe Newcastle United do të zhvillohet më herët, duke nisur nga ora 18:45.
Takimi i parë në Angli përfundoi 1:1, ndërsa në Camp Nou të dyja skuadrat do të kërkojnë kualifikimin, me katalunasit që konsiderohen favoritë.
Të tri ndeshjet e tjera të mbrëmjes do të nisin nga ora 21:00, duke premtuar një natë të mbushur me spektakël dhe futboll të nivelit më të lartë evropian./AutoPortali



