Parku natyror i Drilonit, vetëm 6 km larg Pogradecit, është ndër atraksionet më të bukura turistike në vendin tonë.
Falë investimeve të fundit ky park është shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe Korçën, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.
Investimet në infrastrukturë përfshijnë ndërtimin e rreth 4 000 m rrugicave për këmbësorët, ndërsa është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje mes magjisë së natyrës të paqtë nga Driloni në Pogradec.
Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.
Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.
Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shelgjeve lotues apo kallamishtet e bëjnë më të freskët dhe më të pastër ajrin. Ndërsa mjelmat dhe shpendët e tjerë që gjallojnë në këtë park natyror i shtojnë gjallëri peizazheve natyrore.
Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë.



