Lajmi për ndarjen e afërt të inxhinierit të garave Gianpiero Lambiase nga Red Bull ka shkaktuar një valë të re spekulimesh për të ardhmen e Max Verstappen, si në ekip ashtu edhe në Formula 1. Verstappen është një nga kritikët më të mëdhenj të rregullave të reja teknike dhe nuk e fsheh pakënaqësinë që Red Bull ka mbetur pas në fillim të kësaj epoke. Ai madje ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga F1 në të ardhmen e afërt.
Këtë javë, Verstappen u shfaq në pistën franceze “Paul Ricard”, ku nis kampionati “World GT Challenge Europe”, ku ai merr pjesë me ekipin e tij. Ai shmangu çdo koment për Formula 1.
Max hesht, menaxheri “nxjerr” informacione
Megjithatë, informacionet e para për të ardhmen e tij kanë nisur të dalin përmes menaxherit të tij Raymond Vermeulen. Sipas tij, Verstappen për momentin mbetet te Red Bull, por ka edhe opsione më interesante dhe vendimi përfundimtar do të merret më vonë.
Prej ditësh spekulohet për të ardhmen e tij, sidomos pas konfirmimit se Lambiase do të largohet. Nuk është e qartë nëse largimi i inxhinierit lidhet me një vendim të Verstappen. Përveç Mercedes dhe Ferrari, tani edhe McLaren është futur në garë për ta siguruar.

“Çifti i vjetër” po ndahet
Verstappen, që këtë vit mbush 29 vjeç, është në kulmin e karrierës. Mediat holandeze besojnë se ai ka shanse të mëdha të kalojë te Mercedes, ndërsa Ferrari mund të përballet me ndryshime, pasi Charles Leclerc mund të kërkojë ekip tjetër dhe Lewis Hamilton mund të mendojë për pensionim.
Ndërkohë, McLaren shihet si kërcënimi më i madh për Red Bull, pasi është i gatshëm t’i japë Verstappenit liri të plotë në zhvillimin e makinës. Për më tepër, edhe Lambiase pritet t’i bashkohet McLaren nga viti 2028.

Lambiase ka qenë një figurë kyçe për zhvillimin e makinës së Red Bull dhe marrëdhënia e tij me Verstappen shpesh është krahasuar me një “martesë të vjetër”. Por me rregullat e reja teknike, ku menaxhimi i energjisë është vendimtar, roli dominues i pilotit është zvogëluar, duke e bërë më të vështirë që “faktori Maks” të shfrytëzohet plotësisht.



