Shumë njerëz e njohin ndjesinë emocionuese kur zbulojnë një vend “të fshehur”, shkruan Emer Moreau në një artikull të botuar në të përditshmen britanike BBC.
Këtë vit, gjithnjë e më shumë turistë po kërkojnë përvoja autentike pushimesh jashtë vendit, duke shmangur paketat standarde “all-inclusive”, sipas ABTA, shoqata e operatorëve turistikë në Britani të Madhe, transmeton Telegrafi, përcjell AutoPortali.
Sipas saj, dy në pesë britanikë po planifikojnë të vizitojnë një vend ku nuk kanë qenë më parë gjatë këtij viti.
Kjo tendencë vjen në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme po i nxit turistët drejt destinacioneve evropiane, ndërsa paralajmërimet për mungesa të mundshme të karburantit për avionë dhe rritja e kostos së jetesës po i bëjnë njerëzit të heqin dorë nga pushimet.
Nëse po kërkoni një destinacion veror ekonomik, të veçantë dhe jashtë klisheve, një nga vendet që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje është Shqipëria.
Për vitin 2026, Shqipëria renditet mes destinacioneve më në trend dhe më të veçanta, krahas Malit të Zi, bregdetit Baltik dhe Veriut të Spanjës.
Shqipëria
Në Shqipëri, udhëtimi bëhet pjesë e aventurës. Ju mund të fluturoni drejt Korfuzit në Greqi dhe më pas, me një traget rreth 30 minuta, do të mbërrini në Sarandë, porta hyrëse drejt Rivierës Shqiptare.
Kjo zonë ofron plazhe mahnitëse me ujëra të kristalta, bare plazhi moderne dhe një atmosferë mesdhetare që shpesh krahasohet me Greqinë — por me çmime dukshëm më të përballueshme.
Pikërisht ky kombinim e bën Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të kërkuar.
Përveç bregdetit, vendi ofron edhe një trashëgimi kulturore të pasur.
Qytete si Berati dhe Gjirokastra magjepsin me arkitekturën e tyre prej guri, historinë shekullore dhe atmosferën autentike, që rrallë gjendet në destinacionet turistike të mbipopulluara.
Shqipëria shpesh është quajtur “Maldivet e Evropës”, falë bukurisë së saj natyrore, ndërsa çmimet mbeten konkurruese.
Një paketë njëjavore për një çift mund të kushtojë rreth 1,400 paund, ndërsa për një familje me katër persona rreth 2,300 paund.
Një tjetër avantazh i madh është raporti cilësi-çmim. Për më tepër, vendi ofron një natyrë të larmishme dhe të egër interesante, duke tërhequr si familje ashtu edhe vizitorë me interesa specifike.



