Agroturizmi “Chestnut Hill”, i vendosur mes kurorës së gështenjave të Tropojës, është kthyer në një nga sipërmarrjet më të spikatura agroturistike të zonës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky agroturizëm me kapacitet prej 12 dhomash, i cili mirëpret turistë nga e gjithë bota duke nisur nga Europa, Amerika, Singapori e deri në Australi.
“I vlerësuar edhe nga FAO dhe pjesë e nismës ‘One Country, One Product’, ku Shqipëria u përfaqësua me gështenjën, ky agroturizëm promovon jo vetëm këtë kulturë si produkt bujqësor, por edhe si pjesë të një menuje të pasur gastronomike”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje faktin se në bashkëpunim me rreth 10 familje fermere të zonës, “Chestnut Hill” siguron produkte të freskëta dhe autentike, ndërsa çdo vit grumbullon rreth 2 ton mjaltë gështenje, duke e promovuar dhe tregtuar me sukses.
Bujtina e “Chestnut Hill”, në Tropojë është një ndërtim perfekt i kombinuar mjeshtërisht mes tradicionales dhe modernes.
Ajo shtrihet në një pozicion gjeografik të favorshëm dhe dominues, mes freskisë së bjeshkëve dhe peizazhit piktoresk të Malësisë së Gjakovës.
Veç pamjes mahnitëse, bujtina ofron edhe një menu të ndërthurur mes gatimeve tradicionale e atyre të kuzhinave ndërkombëtare, me produkte vendase 100% organike./atsh/






