Për 10 ditë, Policia shqipton 250 gjoba për çiklistët në Fushë-Kosovë
P

Për 10 ditë, Policia shqipton 250 gjoba për çiklistët në Fushë-Kosovë

Njësiti i trafikut Rajonal i Prishtinës, ka nisur zbatimin e planit operativ “Motoçikletat”. Ky plan, i cili po realizohet nga njësiti i trafikut me motoçikleta, ka për qëllim kontrollin sistematik të rrugëve magjistrale, nacionale dhe atyre brenda qyteteve të rajonit, duke rritur disiplinën e shoferëve dhe sigurinë në komunikacion.

Sipas njoftimit, faza e parë është përmbyllur në zonën e Fushë-Kosovës, ku gjatë një periudhe 10-ditore janë shqiptuar mbi 250 gjoba për kundërvajtje të ndryshme dhe janë larguar nga qarkullimi 24 motoçikleta e skuterë të cilët janë përdorur në kundërshtim me ligjin, raporton Klankosova.tv, përcjell AutoPortali.

“Rezultatet e arritura tregojnë për një disiplinim më të madh të shoferëve dhe përmirësim të dukshëm të gjendjes në trafik. Njësiti i motoçikletave do të vazhdojë kontrollet edhe në komunat tjera të rajonit, me fokus të veçantë tek shoferët e motoçikletave”, u tha në njoftimin e Policisë.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut, motoçiklistët të përdorin helmetën mbrojtëse, të posedojnë patentë shoferin e kategorisë përkatëse, të sigurohen që mjetet e tyre janë të regjistruara dhe të ngasin në mënyrë të sigurt.

“Masat që po ndërmerren synojnë të garantojnë siguri më të madhe për jetën dhe pronën e qytetarëve, duke krijuar një ambient më të rregullt dhe më të sigurt në komunikacion”, njoftoi Policia.

TË FUNDIT