Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shembullin e agroturizmit “Gjepali”, në fshatin Gjepalaj në Shijak, i cili ofron një eksperiencë të bukur, ku ndërthuren natyra, mikpritja dhe ushqimi i freskët “nga toka në tavolinë”.
“Me një staf prej rreth 12 personash dhe në bashkëpunim me 26 familje fermere të zonës, sjell në tryezë produkte të freskëta dhe shije autentike vendase. Ky model kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e zonës, duke mbështetur fermerët lokalë, duke rritur punësimin dhe duke pasuruar ofertën agroturistike për vizitorët”, shkruan Rama.
Me një histori të gjatë prej 6 brezash, agroturizëm “Gjepali” ndodhet në luginën e Erzenit, është afër Durrësit vetëm 12 km, 30 km nga qendra e Tiranës dhe 2,5 km nga qyteti i Shijakut.
Ky vend ka qenë një ndër fermat më të mëdha dhe më të famshme të Shqipërisë së Mesme. Pas viteve ’90, familja Gjepali filloi përpjekjet për të rindërtuar atë “parajsë” që dikur e kishin të bukur dhe plot jetë
Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./ATSH/



