Zvicra shqyrton uljen e kufizimit të shpejtësisë nga 120 në 80 km/h për të kursyer karburantin
Z

Zvicra shqyrton uljen e kufizimit të shpejtësisë nga 120 në 80 km/h për të kursyer karburantin

Debati mbi kufijtë e shpejtësisë në autostradat e Zvicrës është rikthyer në qendër të vëmendjes politike, duke vënë përballë njëra-tjetrës argumentet për kursimin e energjisë dhe ato për rritjen e lirisë së lëvizjes.

Partia e Gjelbër atje ka propozuar uljen e kufirit të shpejtësisë nga 120 km/h në 80 km/h, me synim reduktimin e konsumit të karburantit dhe kursimin e energjisë.

Sipas lideres, Liza Mazzone, masa të tilla nuk janë të paprecedenta. Ajo rikujtoi se gjatë krizës globale të naftës në vitin 1973, autoritetet zvicerane kishin vendosur përkohësisht një kufi më të ulët shpejtësie për të përballuar mungesat e karburantit, transmeton Klankosova.tv, përcjell AutoPortali.

Mazzone theksoi se në një kohë pasigurish ekonomike dhe gjeopolitike, politika të tilla mund të ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të burimeve energjetike dhe në uljen e varësisë nga karburantet.

Në anën tjetër, Swiss People’s Party (SVP) (Partia Popullore zvicerane),  ka dalë me një propozim krejtësisht të kundërt, duke kërkuar rritjen e kufirit të shpejtësisë në autostrada në 130 km/h. Sipas kësaj partie, një rritje e tillë do të përmirësonte rrjedhshmërinë e trafikut dhe do të rriste efikasitetin e lëvizjes për qytetarët.

Ky kontrast i fortë mes dy qasjeve ka hapur një debat të ri në Zvicër, ku përplasen prioritetet mes mbrojtjes së mjedisit dhe kursimit të energjisë, me kërkesat për më shumë liri dhe efikasitet në transport. Diskutimi pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, ndërsa opinioni publik dhe institucionet do të duhet të gjejnë një balancë mes këtyre interesave.

TË FUNDIT