Ura e Mesit në Shkodër, destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj
U

Ura e Mesit në Shkodër, destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj

Ura e Mesit vijon të tërheqë çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj, të mahnitur nga historia, arkitektura dhe bukuria unike e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Ura e Mesit në Shkodër, duke e cilësuar atë si një perlë të trashëgimisë sonë kulturore, tashmë të rilindur, transmeton ATSH, përcjell AutoPortali.

“Çdo ditë e mbushur me vizitorë nga e gjithë bota, të mahnitur nga historia, arkitektura dhe bukuria unike e kësaj perle të trashëgimisë sonë kulturore, tanimë e rilindur”, u shpreh Rama.

E vendosur rreth 8 kilometra larg qytetit të Shkodrës, mbi lumin Kir, Ura e Mesit është një monument kulture me vlera të mëdha historike, arkitektonike dhe teknike, si edhe simbol i qytetërimit të lashtë.

Ura është ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati dhe shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. E njohur për strukturën karakteristike “me kurriz”, ajo konsiderohet një nga urat më të veçanta të periudhës osmane në vend.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe 13 harqe jo simetrike, ura është ndërtuar me gurë të latuar, ndërsa traseja është shtruar me pllaka guri. Vlerat e saj pasurohen edhe nga peizazhi piktoresk përreth, me shkëmbinj natyrorë dhe ujërat e pastër të lumit Kir.

Arkitektura e veçantë e urës, si edhe legjenda që lidhet me ndërtimin e saj, vijojnë të ngjallin interesin e vizitorëve, duke e kthyer Urën e Mesit në një nga destinacionet më tërheqëse turistike në veri të Shqipërisë.

TË FUNDIT